Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, pas tragjedisë për familjen Ademaj, ku vërshimet e natës së 24 qershorit ia morën dy anëtarë të familjes dhe ia dëmtuan shtëpinë, ftoi të gjithë qytetarët që të kontribuojnë për ta ndihmuar materialisht familjen në fjalë, raporton Gazeta Sinjali.
Pacolli njoftoi se kjo ndihmë do të jepet përmes llogarisë së hapur në “GoFundMe”, teksa tha se çdo euro e dhuruar do të thotë shumë për familjen e Dionit dhe Mirsadës.
E një lajm i mirë na vjen sot, ku bëhet e ditur se në vetëm 24 orët e para të hapjes së kësaj llogarie janë mbledhur rreth 13 mijë euro, të cilat do t’i shkojnë në ndihmë familjes Ademaj.
Deri më tani janë gjithsej 258 donatorë, ndërsa vlera monetare që dhuruan është nga më e ndryshmja.
Gjashtë orë më parë, Behgjet Pacolli njoftoi se deri në orën 10:38 ishin grumbulluar 11 mijë euro.