Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka dalë me një komunikatë për media, në të cilën arsyetohet vendimi i qeverisë së fundit për ndërrimin e lokacionit të stadiumit kombëtar të Kosovës, nga Bernica e Prishtinës në Korreticë të Drenasit.
MKRS thotë se fillimisht ishte marrë vendim që stadiumi të ndërtohet në Prishtinë, por që më pas kishte rezultuar se në fshatin Bernicë ka probleme me konteste pronësore dhe se është dashur të bëhen edhe shpronësime, të cilat do të rrisnin koston e projektit.
Ndërkohë, në këtë komunikatë është dhënë edhe një porosi për qeverinë e re që pritet ta krijojë LDK-ja dhe Vetëvendosja, duke thënë se ndryshimi eventual i lokacionit do të komplikonte situatën, pasi që të gjitha procedurat për ndërtimin e këtij stadiumi janë përfunduar.
Gjithashtu, kanë përmendur edhe shumën prej 1 milion eurove të shpenzuara deri tani për projektin.
Njoftimi i plotë:
Si MKRS vlerësojmë se ndryshimi eventual i lokacionit do të rriste koston e stadiumit, do të komplikonte situatën edhe më tej dhe është një tendencë e qartë për ngecjen e këtij projekti, për më shumë, janë lajme dëshpëruese për qytetarët e Republikës së Kosovës në një kohë kur vendit tonë i duhet më së shumti ky projekt i cili është i gatshëm për të filluar.
Pas deklarimeve të fundit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e sheh të nevojshme që të sqarojë për opinion vendimin për ndërtimin e Stadiumit kombëtar.
MKRS-ja fillimisht ka planifikuar që Stadiumin Kombëtar të Kosovës ta ndërtojë në Prishtinë. Kemi analizuar hapësirën në fshatin Bërrnicë, e cila ka rezultuar me konteste pronësore, ka pasur hapësira që është dashur të shpronësohen dhe kjo e ka rritur koston e tërësishme të projektit, për më keq, ish-qeveria Mustafa nuk kishte zhvilluar asnjë procedurë për ndërtimin e stadiumit në Bërrnicë.
Ndërkaq, lokacioni i tanishëm, për të cilin është marrë vendim që të ndërtohet stadiumi, ka qenë më i favorshmi për arsye të shumta. Dallimi në kilometra nga Prishtina në Korreticë ose Bërrnicë është vetëm 5 km. Gatishmëria dhe bashkëpunimi i Komunës së Drenasit për ta ofruar një hapësirë të këtillë, ku tashmë prona ka kaluar të gjitha procedurat e duhura, duke qenë e dedikuar për stadium. Hapësira e tanishme, konkretisht ngastrat e kadastrave të ndara për stadiumin kombëtar, kanë qenë pronë e cila nuk ka pasur nevojë për shpronësim dhe kështu e ka ulur ndjeshëm koston e projektit.
Fakte tjera të cilat kanë qenë të arsyeshme dhe bindëse që të përcaktohemi për atë lokacionin janë edhe afërsia me Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe qasja në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Në vendimmarrje jemi bazuar edhe tek qëndrimi i trajtimit të barabartë për të gjitha skajet e territorit të Kosovës që stadiumi të ndërtohet në qendër të Republikës së Kosovës.
MKRS–ja ka ndërmarrë hapat e nevojshëm që të konkretizohet projekti në fjalë. Kemi shpallur thirrje ndërkombëtare për dizajnimin e projektit të Stadiumit Kombëtar dhe ne tashmë kemi prezantuar projektin ideor të tij. Ky projekt ka kushtuar mbi 1 milion euro.
Dëshirojmë t’ua bëjmë me dije qytetarëve të Republikës së Kosovës, sidomos atyre që pa asnjë analizë flasin për ndërrim të lokacionit, se MKRS-ja tashmë ka përfunduar të gjitha procedurat, ka marrë vendim në qeveri për ndërtimin e stadiumit, ka bërë fizibilitetin e lokacionit, ka bërë shpimet e tokës dhe ka finalizuar projektin për Stadiumi Kombëtar të Kosovës.
Si MKRS vlerësojmë se ndryshimi eventual i lokacionit do të rriste koston e stadiumit, do të komplikonte situatën edhe më tej dhe është një tendencë e qartë për ngecjen e këtij projekti, për më shumë, janë lajme dëshpëruese për qytetarët e Republikës së Kosovës në një kohë kur vendit tonë i duhet më së shumti ky projekt i cili është i gatshëm për të filluar./Gazeta Sinjali/