image Mjeku nga Mitrovica i prekur me koronavirus kishte qenë në një dasmë me 300 persona në Zveçan

Kosovë

Shëndetësi/ Mjeku nga Mitrovica i prekur me koronavirus kishte qenë në një dasmë me 300 persona në Zveçan

news image

Deri më tani, tre serbe të Kosovës janë infektuar me koronavirus, dy në veri të vendit dhe një në komunën e Lipjanit. Në mesin e tyre është një mjek 42-vjeçar nga veriu i Mitrovicës, që është bartur për shërim në Nish për të cilin Gazeta Sinjali raportoi ditë më parë. Megjithatë, druhet se numri i të infektuarve do të shënojë rritje dramatike, shkaku i shpërfilljes së ndalesës së tubimeve.

Gazeta serbe “Novosti” e përcjell deklaratën e Milan Ivanoviqit, njërit prej drejtuesve spitalorë në Mitrovicë. Ai ka thënë se dyshohet që 42-vjeçari ishte infektuar në një dasmë, dy javë më parë, në një restorant në Zveçan.

“Në dasmë kanë qenë më shumë se 300 të ftuar, midis të cilëve edhe një grua nga Kragujevci, që kishte qenë e infektuar. Tani duhet hulumtuar se kush ka qenë në këtë dasmë dhe të testohen të gjitha rastet e dyshimta. Derisa të mos mbërrijnë rezultatet, të gjithë duhet të vihen në vetëizolim”, ka thënë Ivanoviqi.

Gazeta Sinjali raportoi ditë më parë se dy rastet me koronavirus në veri të vendit janë konfirmuar më 27 mars nga Instituti i Virologjisë, vaksinave dhe serumit “Torlak” në Beograd.

Njëri prej tyre është një mjek 42 vjeçar (emër i njohur për redaksinë).

Gazeta Sinjali ka siguruar rezultatet e testeve të pesë personave të dyshuar, dy prej të cilëve rezultuan pozitivë.

Më 27 mars ishte konfirmuar edhe rasti i 62-vjeçares nga Komuna e Lipjanit./Gazeta Sinjali/