image Mjekja shqiptare i përgjigjet Sekretares së Brendshme në Britani: S'jemi kriminelë, kam mbaruar 4 fakultete

Evropë

Mjekja shqiptare i përgjigjet Sekretares së Brendshme në Britani: S’jemi kriminelë, kam mbaruar 4 fakultete

news image

Një deklaratë e Sekretares së Brendshme në Mbretërinë e Bashkuar, Suella Braverman, ku ajo i quan shqiptarët kriminelë, ka nxitur reagime të shumta tek emigrantët të cilët po protestojnë dhe po kërkojnë largimin e Braverman, raporton Gazeta Sinjali.

Asaj ashpër iu kundërpërgjigj edhe mjekja shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Briseida Xhelaj, e cila përmes një videoje të publikuar në rrjetin social TikTok, tha se e gjithë bota e di se shqiptarët janë punëtorët dhe studentët më të mirë.

“Shqiptarët nuk janë kriminelë, e gjithë bota e di atë. Ne punojmë shumë kudo që shkojmë në botë. Jo vetëm që punojmë fort, po jemi edhe studentët më të mirë në botë. Do të doja të ndaja me ju historinë time. Unë kam përfunduar katër fakultete dhe bëj pjesë te 1 për qind e botës që jam femër me Master dhe Doktoraturë dhe bëj pjesë në 13 për qind të studentëve të dalluar në botë”, ka thënë Xhelaj.

Ajo tutje në adresimin e saj drejtuar sekretares Braverman ka thënë se është krenare që është shqiptare.

“E di çfarë? Unë jam nga Shqipëria dhe jam shumë krenare dhe ashtu si unë, të gjithë shqiptarët tjerë janë njerëzit më të mirë në botë”, është shprehur ajo.

“Unë me të vërtetë shpresoj që ti do ta marrësh kohën që të kërkosh falje gjithë shqiptarëve për atë që ke thënë. Është në rregull, njerëzit bëjnë gabime dhe ne të falim”, ka thënë në përfundimin e videos dr.Xhelaj.

Posted by Eva Boshnjaku on Wednesday, November 9, 2022

Kujtojmë që emigrantët shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar kanë “pushtuar” rrugët e Anglisë me thirrje që kërkojnë largimin e Sekretares Braverman.

Qytetarët shqiptarë po protestojnë me muzikë shqiptare në sfond, ndërsa në pankartat e tyre thuhet se nuk janë kriminelë dhe se punojnë e paguajnë taksa.

Ndryshe, sekretarja e brendshme, Braverman ka deklaruar ditë më parë se Anglia jugore po përballej me një “pushtim” të emigrantëve, ndërsa akuzoi shqiptarët atje për “abuzim me ligjet e tyre”.

Kjo deklaratë ka marrë reagimin e menjëhershëm edhe të Qeverisë së Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama deklaroi për “Sky News” se ende po pret për një falje nga Qeveria britanike.

Shqiptarët janë tashmë grupi më i madh i atyre që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla.

/GazetaSinjali/