image Miratohet statuti i ri, shkarkohet kryesia dhe drejtuesit e PD-së

Shqipëri

Miratohet statuti i ri, shkarkohet kryesia dhe drejtuesit e PD-së

news image

Në kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike, u miratua edhe statuti i ri i partisë, sipas të cilit bëhen disa ndryshime thelbësore në organizimin e saj.

Sipas statutit të ri është parashikuar që kryetarit të saj t’i mbarojë mandati pa të drejtë rikandidimi, në rast se partia humbet zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk rezulton forcë fituese qeverisëse. Në statutin e ri gjithashtu është parashikuar që nëse partia humbet zgjedhjet lokale, atëherë kryetari votëbesohet me votë të fshehtë në kuvendin kombëtar dhe quhet i votëbesuar nëse ka marrë jo më pak se 70% të votave të anëtarëve që kanë marrë pjesë në votim.

Gjithashtu, statuti i ri përpiqet të bëjë të pavlefshëm kuvendin kombëtar të datës 18 të thërritur nga Lulzim Basha, duke sanksionuar që asnjë vendim tjetër i ndërmarrë pas hyrjes në fuqi të statutit, shfuqizohet automatikisht, shkruan A2 CNN.

Në statut është parashikuar ngritja e një komisioni të përkohshëm, që do të hapë rrugën për ndryshimet e plota të partisë.

Sali Berisha, i cili propozoi mbajtjen e kuvendit kombëtar pasi Lulzim Basha e pezulloi përkohësisht nga grupi parlamentar i PD për shkak se ishte shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar se gjatë punimeve të kuvendit kombëtar të sotëm, Basha do të shkarkohet nga detyra e kryetarit. Ai vetë ka shpallur kandidaturën për t’u bërë kryetar partie, e nëse votohet do të rikthehet në këtë post pas 8 vitesh.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se do të shkëpusin marrëdhëniet me PD nëse zgjidhet kryetar një person i shpallur “non grata”. Ndryshe është shprehur ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.

/GazetaSinjali/