Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka reaguar pas denoncimit të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili sot në Kuvendin e Kosovës ka thënë se Qeveria e Kosovës ka sponsorizuar një artikull në Shtëpinë Botuese “Petit Fute”, ku thotë që Kosova është vend ku lindën manastiret ortodokse serbe. MINT ka thënë se “Petit Fute” ka publikuar pa aprovimin e KIESA-s këtë artikull, për të cilën gjë janë ndjekur rrugët ligjore.
MINT i ka konsideruar shpifje deklaratat e Tahirit, duke sqaruar që bashkëpunimi ndërmjet shtëpisë botuese dhe ministrisë ekziston nga viti 2016.
“Sqarim për publikun lidhur me publikimin dëmtues të Shtëpisë Botuese “Petit Fute” ndaj Republikës së Kosovës dhe shpifjeve të sotme nga Deputeti Abelard Tahiri në Seancën Parlamentare. Bashkëpunimi në mes ish Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – KIESA dhe Shtëpisë Botuese “Petit Fute” ekziston që nga data 11 shkurt 2016, me nënshkrim të marrëveshjes në mes dy palëve për mbështetjen e hartimit, dizajnimit, shtypjes dhe publikimit të 1,500 kopjeve të broshurës për atraksionet turistike në Kosovë, të përshtatura për turistët francezë. Në qeverisjen e tanishme, me datën 9 shkurt 2022, përmes një komunikimi zyrtar nga Shtëpia Botuese “Petit Fute” janë kontaktuar Departamenti i Industrisë dhe më pastaj KIESA, në lidhje me vazhdimin e bashkëpunimit për promovimin e kapaciteteve turistike të Kosovës në Francë. KIESA ka vazhduar komunikimin direkt me Shtëpinë Botuese “Petit Fute” dhe ka konfirmuar marrëveshjen e bashkëpunimit për promovimin e aktiviteteve potenciale të turizmit në Kosovë”, thuhet në reagim.
Sipas ministrisë, shkrimet e publikuara në faqet 94 dhe 95 nuk janë dërguar nga KIESA dhe se “Petit Fute” nuk ka pranuar korrigjimet e KIESA-s.
“Në komunikim me përfaqësuesit e Shtëpisë Botuese “Petit Fute” të datës 09.08.2022, KIESA ka dërguar dokumentin informues për potencialet e Republikës së Kosovës për tu publikuar në katalogun e ‘’Petit Fute”. Teksti i vetëm i dërguar nga KIESA tek shtëpia botuese “Petit Fute” është i hapur për publikun dhe nuk përmban asgjë nga shkrimet e publikuara në faqet 94 dhe 95 të katalogut të publikuar nga shtëpia botuese ‘’Petit Fute’’. Me datën 18.08.2022, Shtëpia Botuese “Petit Fute” ka dërguar një verzion tjetër të dokumentit promovues të KIESA, për të cilin ka kërkuar komente. Me datën 19.08.2022, KIESA ka reaguar për draftin e ndryshuar tërësisht duke ia rikujtuar Shtëpisë Botuese që, materiali i dërguar nga “Petit Fute” nuk mbështetet aspak në tekstin e dërguar nga KIESA, si dhe ka ridërguar tekstin e njëjtë në bashkëngjitje të dërguar me herët me datën 09.08.2022. Më 28.09.2022, KIESA ka refuzuar publikimin final të dokumentit në fjalë dhe iu ka kërkuar Shtëpisë Botuese “Petit Fute” që para çdo publikimi të ndonjë artikulli të merret aprovimi nga KIESA. Përkundër kësaj, Shtëpia Botuese “Petit Fute” nuk ka dërguar artikullin me korrigjimet e nevojshme për aprovim dhe pagesë nga KIESA, ndonëse i ishte premtuar se teksti do të korrigjohet dhe editohet sipas tekstit origjinal të dërguar nga KIESA”, thuhet në vazhdim.
Ministria ka njoftuar që ndaj “Petit Fute” do të nisin veprimet në rrugët ligjore për dëmin e krijuar ndaj historisë kombëtare, që nuk është aprovuar e as paguar nga MINT dhe KIESA.
“Në këtë rrethanë të krijuar në dëm të historisë sonë të lashtë kombëtare, me publikimin e Shtëpisë Botuese “Petit Fute” të pa aprovuar dhe pa paguar nga MINT- KIESA dhe duke shtrembëruar tërësisht historinë tonë kombëtare, përkundër kërkesës sonë për korrigjime dhe premtimit nga Shtëpia Botuese “Petit Fute”, për editim dhe dërgim për aprovim të tekstit nga KIESA, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të ndjekë rrugët ligjore për të adresuar dëmin e krijuar”, thuhet në fund.
Abelard Tahiri tha sot në Kuvend, se për publikimin e këtij artikulli, u informua nga një mërgimtar në Francë.
“Dje kam pranuar një telefonatë nga një bashkatdhetar i ynë në Francë ku më thotë se si është e mundur që Qeveria e Kosovës ta promovojë Kosovën si vend ku lindën manastiret madhështore ortodokse serbe. Për mua ishte shumë e çuditshme. I thashë nëse e ka ngatërruar me Qeverinë e Serbisë, sepse nuk besoj qe Qeveria e Kosovës e promovon Kosovën si një vend ku lindën manastiret madhështore ortodokse serbe”.
Tahiri tha se ky artikull u sponzorizua nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Shtëpinë Botuese franceze “Petit Fute”.
“Në mes të tjerash, artikulli thotë: “Ajo gjithashtu ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret e saj madhështore ortodokse serbe”. Kolegë, kjo është një doktrinë e shtetit serb. Një promovim i artikullit të tillë nga Qeveria e Kosovës, unë s’e di çka ka me thënë më tutje Vuçiqi, ose Jeremiqi, ose Tadiqi. A e shihni se çfarë argumente u jepni ju kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës që ta ngritin nesër në Këshill të Sigurimit? Një artikull i tillë sponzorizohet nga buxheti i taksapaguesve kosovarë”.
Tahiri tha se kjo është skandaloze dhe duhet të japë dorëheqje ministrja, Rozet Hajdari.