Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka treguar se çka është duke ndikuar në rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë dhe rajon.
Ndër faktorët e parë që Rizvanolli ka përmendur, është rënia e bllokut dy. Ajo tha se si pasojë e rënies së këtij blloku, KEK-u nuk ka pasur mundësi të prodhojë më shumë rrymë.
“Sa më shumë që KEK-u mund të prodhojë energji, aq më pak ne si vend jemi të varur nga importi dhe çmimit e importit. Fatkeqësisht ne kemi një nivel më të ulët të prodhimit nga ana e KEK-ut për shkak të rënies së bllokut 2 i cili ende nuk është aktivizuar. Ky është një faktor”, ka thënë ajo.
Faktori i dytë i krizës energjetike, sipas ministres janë bursat ndërkombëtare dhe çmimet në këto bursa.
Ajo tha se kjo ka ndikuar që çmimi i energjisë elektrike të rriten çdo ditë.
“Bursat ndërkombëtare dhe çmimet në bursat ndërkombëtare janë faktori numër dy. Këto janë duke shënuar çmime rekorde pasi që temperaturat janë ulur dukshëm dhe do të thotë është rritur kërkesa. Si rrjedhojë e kësaj, nga ana tjetër oferta, prodhimi i energjisë në Evropë nuk është rritur, por është ulur e veçanërisht ai i gazit. Kjo ka ndikuar që çdo ditë të shënohen çmime rekorde të energjisë elektrike”, ka thënë ajo.
Ministrja u deklarua edhe për bllokimin e linjës energjetike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj edhe kjo ka ndikuar që Kosova të ketë krizë energjetike.
“Është edhe një faktor që për vendin tonë ndikon specifikisht negativisht. Ky është fakti se Serbia ka bllokuar linjën energjetike në mes nesh. Kjo nuk është diçka e re. Por në situata krize siç është kjo e përkeqëson edhe më tej situatën. Duke qenë se Serbia e pamundëson alokimin e kapaciteteve interektive në kufi me Kosovën kjo shkakton ngarkesa edhe në rrjetet e vendeve fqinje si në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Jemi edhe më të kufizuar që të blejmë energji, shpesh duke mos pasur zgjidhje pos të blejmë me çmime të larta”, ka thënë Rizvanolli.
Si faktorë të katërt, ajo përmendi rritjen e konsumit të energjisë elektrike. Rizvanolli potencoi se ka rritje të konsumit të energjisë elektrike për 14%.
“Faktori i katër që ka ndikuar posaçërisht këtyre ditëve, është se konsumi i energjisë është më i larti që është regjistruar ndonjëherë ne vendin tonë. Nga viti i kaluar në të njëjtën kohë ne jemi duke konsumuar dukshëm më shumë. Konsumi është rritur për 14 për qind për dy ditë, nga 19 dhjetori deri më 21 dhjetor ”, ka thënë ajo. /GazetaSinjali/