image Ministrja e Drejtësisë nuk u ftua në takimin e presidentit ku u diskutua gjendja e të burgosurve

Kosovë

Politikë/ Ministrja e Drejtësisë nuk u ftua në takimin e presidentit ku u diskutua gjendja e të burgosurve

news image

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nuk e ka ftuar ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në takimin ku u diskutua për rrezikun e përhapjes së virusit COVID-19 në institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe gjetjes së një zgjidhjeje ligjore për ta penguar përhapjen në këto institucione, shkruan Gazeta Sinjali.

Se nuk pati ftesë për këtë takim, për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar vetë Haxhiu.

“Nuk kam pasur ftesë për atë takim”, tha ministrja në detyrë e Drejtësisë.

Në këtë takim morën pjesë: drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

Presidenti Thaçi në këtë takim u shpreh se ndonëse është lajm i mirë që ende nuk ka raste të infektimit me koronavirus në institucionet korrektuese, megjithatë duhet marrë çdo hap që të parandalohet kjo.

Kujtojmë që deri tani në Kosovë me COVID19 pozitiv kanë rezultuar 387 persona, 66 prej tyre janë shëruar dhe 9 të tjerë kanë vdekur. /Gazeta Sinjali/