image Haxhiu mungon në takimin e Thaçit ku po diskutohet për gjendjen e të burgosurve

Kosovë

Haxhiu mungon në takimin e Thaçit ku po diskutohet për gjendjen e të burgosurve

news image

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar për rrezikun e përhapjes së virusit COVID-19 në institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe gjetjes së një zgjidhjeje ligjore për ta penguar përhapjen në këto institucione.

Në këtë takim ishin Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

Presidenti Thaçi u shpreh se ndonëse është lajm i mirë që ende nuk ka raste të infektimit me koronavirus në institucionet korrektuese, megjithatë duhet marrë çdo hap që të parandalohet kjo.

“Është në pyetje shëndeti i qytetarëve dhe është me rëndësi që institucionet e Republikës së Kosovës të kujdesen për çdo qytetar dhe të gjejnë zgjidhje për çdo qytetar, në përputhje me ligjet në fuqi”, citohet të ketë thënë presidenti.

Sipas komunikatës së Zyrës së Presidentit, në takim u diskutuan hapat që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse dhe u theksua që në kërkim të një zgjidhjeje sa më shpejt të përfshihet edhe Kuvendi i Kosovës dhe mekanizmat e shëndetit publik.

Mirëpo, në këtë takim nuk po merr pjesë ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Nuk dihet nëse ministrja ka pranuar ftesë nga presidenti për këtë takim./Gazeta Sinjali/