Ministrja e Integrimeve Evropiane nga radhët e PDK-së, Dhurata Hoxha i ka dërguar letër (email) Ruiz Calavera duke i kërkuar që Bashkimi Evropian t’i anulojë fondet për Sallën Koncertale në Prishtinë me vlerë prej 15.4 milionë euro dhe t’i riadresojë këto fonde.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte reaguar pas lajmit se Ministria e Integrimeve Evropiane i ka dërguar letër direkte BE-së për të ridestinuar mjetet për Sallën Koncertale në Prishtinë.
“Ministria e Integrimeve Evropiane ka dërguar letër në BE për të ridestinuar mjetet për Sallën Koncertale në Prishtinë. Kur kemi kontaktuar kryeministrinë, thonë se nuk janë në dijeni për veprimin e Ministres. Në BE thonë se për herë të parë letra është dërguar direkt në Bruksel e jo përmes zyrës së BE në Prishtinë”, kishte shkruar Ahmeti në Facebook.
Pretendimet e Ahmetit, i kishte hedhur poshtë Dhurata Hoxha në disa media vendore, Hoxha kishte thënë se nuk është e vërtetë se ka kërkuar ridestinimin e mjeteve financiare të parapara për ndërtimin e Sallës Koncertale.
“Nuk është e vërtetë që kemi kërkuar riadresimin e mjeteve financiare të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve. Ne kemi punuar intensivisht me Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Zyrën e BE-së në Prishtinë për të gjetur lokacionin e nevojshëm për ndërtimin e sallës”, kishte thënë Hoxha.
Por dokumentet të cilat i ka siguruar Gazeta Sinjali dëshmojnë të kundërtën. Sipas një emali zyrtarë të cilin e posedon Gazeta Sinjali, Dhurata Hoxha me 5 qershor i kishte dërguar letër BE-së duke kërkuar anulimin e fondeve për Sallën Koncertuale në Prishtinë dhe fondet e njëjta t’i riadresojnë për Dekomisionimin e Kosovës A.
“Bazuar në diskutimin e mbajtur, janë bërë disa përpjekje për të zgjidhur çështjet e identifikuara në letrën tuaj dhe në përfundimet e Komitetit Monitorues IPA. Ne kemi bërë një përparim në shmangien e pasojave negative për disa nga projektet dhe kjo do të tregohet në një aneks të kësaj letre. Megjithatë, ne gjithashtu e pranojmë që, duke marrë parasysh afatet e kontraktimit për disa prej projekteve në programet e aprovuara më parë, disa prej projekteve duhet të anulohen, për shkak të faktit se nuk janë përmbushur kushtet për zbatimin e tyre, përkundër përpjekjeve të përbashkëta nga ne dhe zyrat e BE-së”, ka shkruar Dhurata Hoxha në letrën e saj drejtuar BE-së.
Madje Ministrja në Detyrë Dhurata Hoxha nuk kishe hezituar të thoshte se ka qenë Zyra e BE-së ajo e cila i ka njoftuar se mjetet financiare do të ridestinohen për Dekomisionimin e Kosovës A, pasi Komuna e Prishtinës ka zgjedhur një lokacion që nuk i kishte të zgjidhura të gjitha çështjet pronësore juridike.
Në një përgjigje nga zyra e Kryeministrit për Gazetën Sinjali kanë thënë se ishin angazhuar në gjithë këtë proces për jetësimin e këtij projekti, duke marrë vendimet e nevojshme sa i përket kësaj çështje.
“ Zyra e Kryeministrit në gjithë këtë proces ka qenë e angazhuar si fasilitatore dhe në përpjekje të jetësimit të projektit, duke marrë vendimet e nevojshme sa i takon kësaj teme”, kanë thënë në përgjigjen e tyre për Gazetën Sinjali
Qeveria e Kosovës përmes vendimit NR.06/71 kishe ofruar objektin e ish-Gërmisë për tu ndërtuar Salla Koncertuale, problemi ishte pika 3 e këtij vendimi në të cilin kërkohej që të ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore.
E për shkak të pikës 3 të këtij vendimi BE-ja kishe thënë se duhet të identifikohen parcelat të përshtatshme dhe me pronësi të pakontestueshme.
“Sa u përket projekteve infrastrukturore, duhet të identifikohen parcelat të përshtatshme dhe me pronësi të pakontestueshme, të përgatitet një studimi i fizibilitetit dhe të ketë lejet administrative duke përfshirë vlerësimin e ndikimit mjedisor, në rastet kur kjo aplikohet”kishin thënë Zyra e BE-së për Kosovë.
Por pasi ishin shfaqur ngecje gjatë procesit për ta përcaktuar këtë objekt, Kryeministri në detyrë kishe marrë vendimin Nr. 03/94 përmes të cilit e shfuqizon pikën tre në të cilën kërkohej ruajtja e jashtme e objektit dhe sipas këtij vendimi objektit të ish-Gërmisë nuk ishte e nevojshme t’i ruhej pamja e jashtme.
Gazeta Sinjali ka provuar të marrë një qëndrim për këtë çështje nga Komuna e Prishtinës por deri më tani nuk janë përgjigjur, poshtu edhe nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit për çështjen e objektit të ish-Gërmisë, të cilët nuk e kanë larguar nga lista e trashëgimisë kulturore edhe pas kërkesës së kryeministrit Haradinaj. /Gazeta Sinjali/