Sot me rastin e 50 vjetorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Konferenca e Rektorëve organizoi konferencë me temën “Universiteti, politika dhe vlerat themelore të arsimit të lartë”, në të cilën morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurt, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë diplomatikë.
Ministrja Bajrami me këtë rast përgëzoi UP-në për 50-vjetorin e themelimit, ndërsa në emër të Qeverisë së Kosovës, i siguroi rektorët se politika do t’i mbajë duart larg nga puna e universiteteve dhe nuk do të ndërhyjë, siç ka ndodhur në të kaluarën.
“Ju siguroj se do të përkujdesemi që të vëmë bazat me ligj, që politika të mbajë duart larg nga universiteti”, tha ajo, ndërsa theksoi se arsimi do të jetë prioritet i Qeverisë edhe nga ana buxhetore dhe nga aspekti i qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme.
Ajo ndër të tjera, shpalosi edhe programin e Qeverisë së Kosovës për arsimin e lartë, ku theksoi se do të rishikohet Ligji për Arsimin e Lartë, do të rithemelohet Këshilli Kombëtar i Shkencës dhe krahas kësaj do të themelohet dhe fuqizohet Fondi Kombëtar i Shkencës, e po ashtu edhe Fondi i Ekselencës.
Meqë tashmë ministrisë i është bashkëngjitur edhe Inovacioni, Bajrami theksoi se do të punohet bashkë me UP-në dhe universitetet tjera për ta fuqizuar inovacionin në vendin tonë./GazetaSinjali/