image Ministrja Bajrami kërkon dënimin e sulmuesve të Hotit, thotë se partneriteti me SHBA-në është i shenjtë

Kosovë

Reagim/ Ministrja Bajrami kërkon dënimin e sulmuesve të Hotit, thotë se partneriteti me SHBA-në është i shenjtë

news image

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Policia dhe Prokuroria t’i arrestojë sulmuesit e Zëvendëskryeministrit Avdullah Hotit. Ajo ka thënë se pavarësisht këtyre sulmeve partneriteti me SHBA-në do të thellohet.

“E dënoj sulmin ndaj Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti. Drejtësia duhet të veprojë menjëherë që sulmuesit të përgjigjen para drejtësisë dhe të mos lejohet degradimi i hapësirës publike siç ka ndodhur në të kaluarën”.

“Raporti Kosovë-SHBA është i shenjtë dhe asnjë sulm nuk mund ta luhatë partneritetin me amerikanët. Prokuroria dhe Policia duhet të marrin masa dhe të veprojnë edhe ndaj atyre që po paralajmërojnë dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë”, ka reaguar Bajrami.

Ndaj sulmit të sotëm ndaj Avdullah Hotit ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe vetë Hoti, duke thënë se ata që kanë organizuar sulmin e sotëm synojnë izolimin e Kosovës. /Gazeta Sinjali/