Ministria e Financave, më saktësisht sekretari i saj, ka kërkuar listën e punonjësve publikë që do të mbajnë greva, për t’ua ndalur pagat. Për këtë ‘kërcënim’, pati shpërthim reagimesh ndaj Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje që dikur mbronte grevistët. Ministria e drejtuar nga Hekuran Murati ka dërguar një seri të komunikimeve me grevistë. Këmbëngulin që do t’i ndalin pagat e atyre që mbajnë grevë.
Sot u publikua një email i sekretarit të Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, i cili i kërkonte anëtarit të Grevistëve, Ali Sefaj, listën e punëtorëve që grevojnë, për t’u pezulluar pagat.
Nga adresa e Ministrisë së Financave është dërguar një seri e komunikimeve mes ministrisë dhe përfaqësuesit të grevistëve.
Sefaj, në email, i tha se e ka njoftuar Qeverinë me kohë, 7 ditë para mbajtjes.
“Më lejoni edhe njëherë të ju njoftoj se grevën e përgjithshme e ka shpallur BSPK dhe ka njoftuar qeverinë me kohë, 7 ditë para mbajtjes se saj. Për grevën e përgjithshme njoftohet Qeveria dhe jo ministritë, agjencitë apo dikasteret e veçanta veq e veq”, thuhet në email.
Është neni 18 i Ligjit për Grevën që po i përplas grevistët dhe ministrinë. Sekretari i ministrisë thirret në atë nen kur lajmëron se do të pezullohen pagat për grevistë. Sefaj thotë se ai e ka keqlexuar.
“Ndërsa për keq leximin e nenit 18 të Ligjit për Grevat dhe kërkesën për dorëzimin e listave për pjesëmarrësit në grevë me qellim qe të privohen nga paga, me lejoni të ua rikujtoj se ligji ka më shumë nene dhe e trajton në mënyrë të detajuar këtë çështje. Sipas paragrafit 1 të nenit 13 të Ligjit për Greva : 1. Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës”, i tha Sefaj Spahiut
Në fund, Sefaj e “njoftoi” se presioni dhe pengimi i grevës dënohet sipas legjislacionit në fuqi.
Ndaj këtij emaili është përgjigjur sekretari, Enis Spahiu.
“Sipas nenit 8, paragrafi 1, i Ligjit për Greva përcaktohet qartë që njoftimi duhet t’i bëhet punëdhënësit. Në anën tjetër, sipas nenit 18, paragrafi 3.6, Ligjit për Organizimin e Administratës, parashihet së pozita e SP-së të vendos për administrimin e burimeve financiare, materiale dhe njerëzore, të sistemit ministror, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për më tepër, për nivelin nëpunësve administrativ dhe mbështetës, në nenin 79 të Ligjit për Zyrtarët Publik, për nëpunësit administrativ dhe mbështetës, parashihet qartë që punëdhënës në këtë marrëdhënie pune është udhëheqësi më i lartë administrativ i institucionit. Andaj, mendoj se njoftimi do të duhet t’i bëhej Sekretarëve/ZKA-ve. Kështu besoj greva do të ishte organizuar më mirë dhe ne i kishim kryer edhe përgjegjësitë tona”, ka shkruar Spahiu në email.
Ai i rekomandoi Sefajt ta shohë “LIGJI Nr. 03/L-200 PËR GREVA, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-119”, pasi sipas tij “me plotësim ndryshimin që është bërë me Ligjin Nr. 04/L-119, është specifikuar kjo çështje dhe i është shtuar pasuesi për ndaljen e pagesës”.
Spahiu shkruan se e kanë “obligim ligjor që të identifikojmë cilët zyrtarëve duhet t’i pezullojmë kontratat, për të mos kërkuar punë prej tyre dhe për t’i mos i paguar gjersa janë në grevë”, por thotë se kjo kërkesë ka marrë kahje tjetër, ndonëse është lutur të mos ketë keqkuptim.
Spahiu ia “rikujtoi” Sefajt se është vetëm shërbyes civil dhe nuk është pjesë e politikave ditore.
“Në fund, ju rikujtoj që unë jam shërbyes civil dhe nuk jam pjesë e politikave ditore. Këtë veprim e kam ndërmarrë duke qenë plotësisht i bindur që kam përgjegjësi ligjore për këtë, e me asnjë motiv tjetër. Ky nuk është pengim i grevës, por vetëm zbatim i ligjit”, thuhet në emailin.
Spahiu ka thënë se është i hapur për diskutime dhe një takim “që nga ky moment”.
“Edhe një herë po e them, nuk e cenojmë të drejtën e grevës, assesi. Por kujdesemi që të zbatohet Ligji për Greva, ashtu siç e kemi edhe me mandat ligjor, pasi që si ZKA kemi përgjegjësi për ligjshmërinë e shpenzimit të parasë publike dhe nuk mund të bëjmë pagesa të ndaluara me ligj”, ka përfunduar ai.