image Ministria e Shëndetësisë nuk e di sa teste janë kryer në 6 komunat e paprekura nga COVID-19

Kosovë

Shëndetësi/ Ministria e Shëndetësisë nuk e di sa teste janë kryer në 6 komunat e paprekura nga COVID-19

news image

Janë gjithsej gjashtë komuna që nuk e kanë ndjerë prezencën e koronavirusit ende. Graçanica, Juniku, Shtërpca, Novobërda, Parteshi dhe Ranillugu janë gjashtë komuna në Kosovë të cilat nuk kanë regjistruar ende asnjë rast me koronavirus. Mirëpo, Ministria e Shëndetësisë nuk e di se sa teste për COVID-19 janë bërë në këto komuna, shkruan Gazeta Sinjali.

Divizioni i Komunikimit me Publikun të MSh-së ka thënë se një numër i testimeve që janë kryer në komunat e banuara me shumicë serbe kanë qenë kryesisht vetëm të qytetarëve të cilët kanë qëndruar në karantinë, por nuk ka dhënë një numër të saktë.

“IKSHPK ka kryer një numër të konsideruar të testeve në komunat në veri të Kosovës, kryesisht për personelin që janë pjesë e Sistemit Korrektues të Kosovës. Një numër i testimeve janë kryer edhe për qytetarë të komunave të tjera të banuara me shumicë serbe, kryesisht të qytetareve të këtyre komunave që kanë qëndruar dhe kaluar nëpër karantinë ”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Gazetën Sinjali.

Nga kjo ministri kanë thënë se në mesin e 13 mijë e 505 testeve për COVID-19, sa janë kryer deri tani në nivel vendi, ka pasur edhe mostra nga qytetarë të të gjitha komuniteteve, por ende nuk ka ndonjë pasqyrë të saktë për secilën komunë.

MSh thotë për Gazetën Sinjali se mund ta sigurojnë këto të dhëna vetëm pasi të kenë për mbledhjen finale të informacioneve prej Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Gazeta Sinjali për këtë çështje ka kontaktuar edhe me IKSHPK-në, por zyra e komunikimit në këtë institucion ka rekomanduar që pyetjet t’i drejtohen Ministrisë së Shëndetësisë.

Kujtojmë se që nga 12 marsi, kur u shënuar rastet e para në Kosovë, deri tani nga 13 mijë e 505 mostra të testuara, 1 mijë e 38 prej tyre kanë rezultuar pozitive./Gazeta Sinjali/