Ministria e Shëndetësisë ka njoftur se sot Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë ka dorëzuar pjesën e parë të ndihmës nga BE-ja për Kosovën prej 5 milion eurosh për luftimin e pandemisë Covid-19.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, MSh’ja ka bërë me dije se kjo ndihmë, e bartur me 5 kamionë, përfshin mbi 1.4 milionë doreza të ndryshme mbrojtëse mjekësore, 4 mijë mburoja për fytyrën, 3 mijë syze mbrojtëse, 4 mijë litra dezinfektues duarsh, 10 mijë palë shtroje njëpërdorimshe, dhe 50 kuti për transportimin e mostrave laboratorike.
“Ky është momenti kur mund të ofrojmë mbështetje konkrete të Bashkimit Evropian për njerëzit në nevojë dhe profesionistët e shëndetësisë, ata që janë në vijën e parë të kësaj pandemie – në luftë për të shpëtuar jetët e njerëzve”, tha Ambasadorja Apostolova pas dorëzimit të pajisjeve.
Furnizimet e tjera medicinale do të përfshijnë ventilatorë, pompa infuzioni, automjete ambulancë, oksimetra pulsi, shtretër spitalorë, monitorues të pacientëve, defibrilatorë, elektrokardiografë, maska, teste, epruveta, barna dhe artikuj të tjerë të nevojshëm./ Gazeta Sinjali/