Ministria e Shëndetësisë, përmes një komunikate për media, ka informuar qytetarët se ata mund të zgjedhin vetë llojin e vaksinës me të cilën duan që të imunizohen kundër COVID-19, raporton Gazeta Sinjali.
Nga kjo ministri kanë thënë se qytetarët mund të zgjedhin mes dy llojeve të vaksinave antiCOVID, të cilat përdoren në Kosovë, Astra Zeneca ose Pfizer BioNTech.
Madje, kjo ministri thekson se që nga fillimi i vaksinimit masiv, 19 qershori i këtij viti, qytetarëve u është lejuar, me rekomandim të Komitetit të Vaksinimit – edhe kombinimi i vaksinave.
Kjo do të thotë që ata mund të marrin dozën e parë të vaksinës Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer dhe anasjelltas.
“Deklaratat e kujtdo qoftë se në Kosovë nuk lejohet kombinimi i vaksinave janë të pavërteta”, thuhet në kumtesën e MSh-së./Gazeta Sinjali/