Pas deklaratave të mbrëmshme të bëra nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, se një sasi e vaksinave të dhuruara nga Norvegjia u ka skaduar afati, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se të gjitha vaksinat kundër COVID-19 edhe ato që kanë ardhur nga Norvegjia kanë afat të mjaftueshëm për përdorim dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurtë.
“Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e pranuara nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individë të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesën e respektit ndaj donatorit – shtetit të Norvegjisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Tutje ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që edhe më tej të aplikojnë për vaksinim./Gazeta Sinjali/