Ministria e Shëndetësisë për prodhimin e maskave nga një biznes në Komunën e Gjakovës, ka thënë se nuk janë pajisje medicinale dhe se për këtë nuk do të marrë ndonjë veprim, pasi që një kompetencë e tillë i takon Ministrisë së Ekonomisë.
Ministria këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media, shkruan Gazeta Sinjali.
“Produktet e tilla nuk janë pajisje medicinale (medical devices), prandaj edhe nuk kanë certifikatë që garantojnë standardet e cilësisë e të prodhimit si pajisje medicinale”, thuhet fillimisht në njoftim.
Më tutje, ministria shpreson se kjo çështje do të adresohet në mënyrë adekuate, pa u cenuar afarizmi brenda kuadrit ligjor të subjektit afarist.
Çështja e subjekteve prodhuese është më tepër në përgjegjësitë e Ministrisë së Ekonomisë dhe mekanizmave mbikëqyrës e zbatues të saj. Prandaj, MSh shpreson që kjo çështje të adresohet në mënyrën adekuate në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa e cenuar afarizmin brenda kuadrit ligjor të subjektit afarist”, thuhet në njoftimin e ministrisë./Gazeta Sinjali/