image Ministria e Financave njofton se këto sektore nuk janë pjesë e masës 3 të pakos emergjente

Kosovë

Pandemia/ Ministria e Financave njofton se këto sektore nuk janë pjesë e masës 3 të pakos emergjente

news image

Ministria e Financave dhe Transfereve njofton se ka filluar që të keqpërdoret nga disa biznese masa 1.3 e pakos emergjente edhe pse nuk janë ndikuar nga pandemia. E këto biznese janë ato të cilat nuk janë mbyllur edhe gjatë kësaj kohe.

Kjo ministri njofton se ndërmarrjet që operojnë në sektorët e tregtisë me pakicë (marketet ushqimore dhe supermarketet), farmacitë dhe furrat e bukës, nuk duhet të jenë pjesë e masës 3, meqë të njëjtat kanë operuar gjatë gjithë kohës, raporton Gazeta Sinjali.

“Ndërmarrjet që operojnë në sektorët e tregtisë me pakicë (marketet ushqimore dhe supermarketet), farmacitë dhe furrat e bukës, nuk duhet të jenë pjesë e masës 3, meqë të njëjtat kanë operuar gjatë gjithë kohës. Në raste ekstreme, të njëjtat kanë mundur të aplikojnë për një përqindje të vogël të fuqisë punëtore, nëse dokumentojnë që segmente të caktuara të aktivitetit të tyre nuk kanë funksionuar (për shembull tekstili tek supermarketet)”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, në mesin e aplikantëve në këtë masë të pakos emergjente nuk duhet të jenë as shkollat e universitetet private dhe se në rast të aprovimit të vonesave në pagesa nga studentët apo nxënësit, këto institucione duhet të aplikojnë për likuiditet e jo mbështetje.

“Ndërmarrjet që ofrojnë shërbime për sektorin publik dhe janë kompensuar nga kontraktori nuk është dashur të jenë pjesë e masës së 3 meqë të njëjtat kanë operuar dhe janë kompensuar për shërbimet e ofruara. Aplikimi eventualisht mund të arsyetohet vetëm në rast se ndërmarrjet e njëjta ofrojnë shërbime edhe për sektorin privat dhe aty ka pas ulje të aktivitetit, por vetëm për atë pjesë dhe vetëm për ata punëtorë”, njofton më tutje Ministria e Financave.

Kujtojmë që masa 1.3 me vendim të qeverisë, synon mbështetjen e ndërmarrjeve vendore, përfshirë këtu edhe OJQ-të dhe të vetë-punësuarit, që janë në vështirësi financiare si pasojë e rënies së aktivitetit të tyre për shkak të masave të ndërmarra me qëllim luftimin e pandemisë Covid-19.

Deri më sot, për përfitim nga kjo masë kanë aplikuar mbi 37.000 ndërmarrje, dhe totali i punëtorëve të përfshirë në këtë masë është 133.000 persona./ Gazeta Sinjali/