Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, pritet të lëshojë një urdhëresë për operatorët ekonomikë lidhur me çmimet e produkteve të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.
Urdhëresa,
e cila thuhet se erdhi pas ankesave të qytetarëve për rritjen e çmimeve,
obligon operatorët ekonomikë që të respektojnë Ligjin për Tregti të Brendshme,
duke mos e shfrytëzuar situatën e krijuar nga pandemia koronavirus.
“Nëse një praktikë tregtare përdor presionin, forcën apo influencën e padrejtë,
merret në konsideratë: përdorimi nga ana e tregtarit e çdo fatkeqësie specifike
apo rrethane të rëndë që cenon gjykimin e konsumatorit, për të cilin tregtari
ka dijeni, për të influencuar vendimin e konsumatorit në lidhje me produktin”,
citohet neni 50 i këtij ligji.
Në rastin e mosrespektimit të kësaj urdhërese, operatorët ekonomikë paralajmërohet se do të ndëshkohen konform dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Gjithashtu, kjo urdhëresë obligon inspektorët e tregut që t’i trajtojnë me prioritet rastet e ankesave.
“Obligohet inspektorët e tregut të cilët veprojnë në tërë territorin e Kosovës, që të shqyrtojnë me prioritet secilën ankesë të pranuar nga konsumatorët lidhur me mosrespektimin e të drejtave ekonomike dhe ligjore të konsumatorëve nga ana e operatorëve ekonomikë”, thuhet në urdhëresë.
Kujtojmë që Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme ka raportuar se rritje e çmimeve të produkteve ushqimore ka shkuar deri në 200% të çmimit paraprak. /Gazeta Sinjali/