Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka shpërndar në faqen e saj zyrtare postimin e zëvendësministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ky i fundit kishte reaguar gjatë ditës së djeshme lidhur me karantinimin e komunave në veri të Kosovës për të cilat Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht para dy ditësh.
Sveçla tha se komunat veriore janë vendosur në karantinim nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në koordinim me institucionet e Kosovës, për shkak të 16 rasteve të testuara pozitivisht me Covid-19.
“Komuna veriore e Mitrovicës dhe komuna e Zveçanit janë vendosur në karantinë për shkak të 16 rasteve të testuara pozitivisht me Covid-19. Sipas vlerësimeve dhe kërkesave të ekspertëve shëndetësorë, Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, në bashkërendim me të gjitha Institucionet ka ndërmarrë vendimet dhe masat e duhura gjithnjë. Ai është në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me dy kryetarët e këtyre dy komunave dhe autoritetet përgjegjëse. Unë, si ushtrues i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj, jemi në koordinim të plotë me Ministrin Vitia. Po ashtu bashkëpunimi me KFOR-in është permanent dhe tejet i mire”, kishte shkruar Sveçla në profilin e tij në Facebook.
Një postim të tillë e ka shpërndar sot Ministria e Ekonomisë në faqen e saj zyrtare në Facebook.
Faqja zyrtare e kësaj ministrie më herët nuk ka shpërndar postime të personave që nuk janë pjesë e Ministrisë së Ekonomisë./Gazeta Sinjali/