image Ministria e Drejtësisë paralajmëron ridërgimin në Kuvend të Projektkodit Civil

Politikë

Ministria e Drejtësisë paralajmëron ridërgimin në Kuvend të Projektkodit Civil

news image

Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka paralajmëruar se do ta ridërgojë Projektkodin Civil në Kuvend.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kjo ministri tha se është në pritje të vendimit të Kuvendit për mosmiratimin e Kodit gjatë seancës së 16 marsit.

Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë Projektkodin Civil në leximin e parë pasi disa deputetë, në pushtet dhe opozitë, e kundërshtuan nenin, i cili do t’i hapte rrugë hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

Ministria nuk dha më shumë detaje se a do ta ndryshojë Projektkodin, apo do ta riprocedojë të njëjtin.

Sekretari i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, Ismet Krasniqi, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se rregullorja aktuale e Kuvendit të Kosovës nuk e ndalon që i njëjti tekst i Projektkodit të procedohet, si dhe nuk ka kufizime në afatin kohor për procedim.

Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se Ministria e Drejtësisë, për të ridërguar projektligjin për shqyrtim edhe miratim në Kuvend, i ka dy mundësi në dispozicion, por që të dyja nënkuptojnë që projektligji duhet të miratohet.

“Të rishikojë projektligjin, të bëjë ndryshimet e nevojshme dhe ta riprocedojë për miratim; si dhe të qartësojë pikën apo nenin-et që janë kontestuese nga ana e deputetëve, të bëjë presionin e nevojshëm politik (kushtimisht) për të marrë përkrahjen e deputetëve për nenet që janë kontestuar ata dhe të vazhdojë për miratim”, tha Marmullakaj për Radion Evropa e Lirë.

Për këtë projektkod votuan 28 deputetë, kundër ishin 29, 4 kanë abstenuar, kurse 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.

Disa deputetë, në fjalimet e tyre gjatë seancës së mbajtur më 16 mars në Kuvendin e Kosovës, derisa po diskutohej për Projektkodin Civil, e konsideruan të papranueshëm lejimin e “bashkësive civile”.

Deputetja Labinote Demi-Murtezi nga Lëvizja Vetëvendosje, deklaroi se “standardi i moralit shoqëror në vendin tonë e dikton si të pranueshme vetëm martesën e gjinive të kundërta, çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral”.

/GazetaSinjali/