image Ministria e Bujqësisë planifikon të krijojë fond të veçantë për sigurimin e kulturave bujqësore

Kosovë

Ministria e Bujqësisë planifikon të krijojë fond të veçantë për sigurimin e kulturave bujqësore

news image

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka bërë të ditur se po punojnë që në programin qeverisës 2020-2023, ta kenë fondin që do të siguronte kulturat bujqësore.

Sipas Mustafës, nëpërmjet programeve zhvillimore, bujqit do të kenë mundësi të përfitojnë nga fondi prej 53 milionë eurosh.

“Ne si Ministri e Bujqësisë kemi pjesë të programit qeverisës 2020-2023, të themelojmë një fond për sigurimin e kulturave bujqësore, jemi duke punuar intensivisht drejt këtij fondi. Ministria e Bujqësisë nuk ka pasur një fond të tillë deri më tani. Jemi duke punuar aktualisht edhe me donatorët, në aspektin ligjor dhe në atë financiar të ndërtojmë një fond të qëndrueshëm financiar, i cili i’u ndihmon fermerëve kosovarë që të realizojnë sigurimet bujqësore”, thotë ai.

Mustafa ka shtuar se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka shpallur dy programe zhvillimore, duke theksuar se në të përfshihet programi për grante për 18 muaj, për 6 muajt e këtij viti dhe 12 muajt e vitit të ardhshëm, si dhe programi për pagesa të subvencioneve për këtë vit i cili është 24 milionë euro.

Mustafa tha se është ndarë edhe një fond prej 3.1 milionë eurosh për kompensimin e dëmeve dhe nëse nuk është i mjaftueshëm, atëherë do të kërkohet nga Kuvendi i Kosovës që ky fond të rritet.

“Do të shohim nëse ky fond do të mjaftojë. Nëse jo, do të bëjmë kërkesë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që ky fond i Ministrisë së Bujqësisë të rritet për të mbuluar një pjesë më të madhe të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore bujqve kosovarë”, thotë ai.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri ka thënë se qeveritë e kaluara kanë pasur një marrëveshje me bankat në Kosovë për sigurimin e kulturave bujqësore, por në atë marrëveshje nuk përfshihet sigurimi nga zjarri, breshëri dhe vërshimet.

E për këtë ministri Mustafa ka thënë se nuk është i vetëdijshëm për një marrëveshje të tillë.

Përndryshe, një pjesë e madhe e bujqve në të gjithë Kosovën, janë dëmtuar si shkak i reshjeve të fundit të shiut. /Gazeta Sinjali/