image Ministria e Arsimit kërkon 1,000 mësimdhënës shtesë vetëm gjatë kohës së pandemisë

Arsim

Ministria e Arsimit kërkon 1,000 mësimdhënës shtesë vetëm gjatë kohës së pandemisë

news image

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mundësojë angazhimin e 1,000 mësimdhënëseve me pagesë për vitin e ri shkollor që pritet të fillojë më 1 shtator.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, angazhimi i këtyre mësimdhënësve duhet të vlejë vetëm gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.

Enver Osdautaj, këshilltar i lartë politik në kabinetin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky numër i mësimdhënësve duhet të jenë si staf rezervë në rast të infektimit me koronavirus apo izolimit të mësimdhënëseve të rregullt.

“Ne kemi kërkuar angazhim të rregullt të mësimdhënësve më gjysmë pagesë, vetëm për periudhën e pandemisë. Kemi kërkuar nga Qeveria që të mbështes me 1000 mësimdhënës si staf rezervë dhe staf teknik, varësisht nga nevojat. Këta mësimdhënës do të punojnë vetëm në rrethana pandemie. Këta janë mësues plotësues për të plotësuar nevojat varësisht prej situatave që vijnë dhe shpërndarja e tyre në nivel shteti bëhet në bazë të numrit të nxënësve nëpër drejtori komunale të arsimit”, tha Osdautaj.

Rritjen e stafit të personelit arsimor, për fillimin e procesit mësimor e ka kërkuar edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Ymret Reshiti, kryetar i këtij Këshilli, në një bisedë për Radio Evropa e Lirë, tha se përveç infektimit të mundshëm me sëmundjen COVID-19 të mësimdhënëseve, stafi i ri duhet të ndihmojë edhe në rast të marrjes së vendimit për ndarjen e nxënëseve në dy ose tri klasa.

“Do të thotë mos të jetë barrë e një mësimdhënësi që të punojë në një klasë në tri grupe, sidomos e kemi fjalën për ato klasa që kanë numër të madh të nxënësve”, tha Reshiti.

Përveç kërkesës për 1000 mësimdhënës shtesë më pagesë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar edhe nga Universiteti i Prishtinës, konkretisht nga Fakulteti i Edukimit, që studentët të ndihmojnë në mbarëvajtjen e procesit mësimor. /Gazeta Sinjali