image Ministri Sveçla: Sot pritet të arrijë edhe grupi i tretë me 131 shtetas afganë

Kosovë

Ministri Sveçla: Sot pritet të arrijë edhe grupi i tretë me 131 shtetas afganë

news image

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se sot pritet të vijë grupi i tretë me 131 shtetas nga Afganistani, që do të strehohen përkohësisht në Kosovë.

Sveçla në një konferencë për media ka thënë se ata do të vijnë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

Poashtu, ministri i Punëve të Brendshme konfirmoi se shtetasit afganë që kanë ardhur në Kosovë kanë shërbyer për ShBA-të dhe NATO-n, gjatë shërbimit të tyre në Afganistan. Ai tha se në mesin e tyre ka edhe familjarë të personave që kanë bashkëpunuar me ShBA-në dhe NATO-n.

“Pas kërkesës zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, për strehimin e përkohshëm të shtetasve afganë, të cilëve u rrezikohej jeta sepse ishin bashkëpunëtor të ShBA-së  apo të NATO-s, Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’u ofrojë atyre strehim dhe mbrojtje të përkohshme në Kosovë. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës ka nxjerrë dy vendime, atë për mbrojtje të përkohshme të shtetasve afganë të cilët kanë punuar apo kanë ndihmuar SHBA-të dhe janë subjekt i trajtimit për viza speciale për emigrant dhe atë të cilët do të strehohen në vendet e tjera”, ka thënë ai.

Ai poashtu shtoi se mbrëmë pas mesnate në Kosovë, ka arritur edhe grupi i dytë me 113 shtetas afganë, e që më pas janë strehuar në ish-kampin e “Bechtel&Enkas”, në Ferizaj.

“Tashmë ne kemi arritjen e dy grupeve, të shtetasve afganë. I fundit ka qenë mbrëmë pas mesnate, ku 113 shtetas afganë, bashkëpunëtor të NATO-s së bashku me familjarët e tyre kanë ardhur. Kanë ardhë, janë proceduar sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës dhe janë strehuar apo akomoduar në ish-kampin e ‘Bechtel&Enkas’. Sot do të kemi një fluturim të ri me 131 shtetas afganë, prapë bashkëpunëtor të NATO-s, të cilët si në rastet e mëhershme do të procedohen sipas ligjeve të Kosovës”, ka thënë më tutje Sveçla.

Ministri Sveçla shtoi se asnjë nga shtetasit afgan nuk ka rezultuar pozitiv në testet e bëra për Covid-19.

“Nuk kemi asnjë shtetas afgan që ka qenë i infektuar ngas Covid-19 ose nga sëmundjen të tjera që do të rrezikonin shëndetin e shtetasve të tjerë afganë, personelin e NATO-së apo të personelit tonë qoftë të sigurisë qoftë të mbrojtjes. Është bërë regjistrimi i tyre në data bazat e policisë së kufirit. Do të vazhdojmë me trajtimin e tyre gjithnjë bazuar në ligjet e Kosovës”, ka thënë më tutje ai. /GazetaSinjali/