Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin, po insiston se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë presion presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, për ta njohur Kosovën.
“Unë nuk jam pjesëmarrës në negociatat në Washington, por është e qartë për mua që shqiptarëve u është premtuar një letër që do t’i jepet Vuçiqit për njohjen e Kosovës”, tha ai, shkruan Vecernje Novosti, transmeton Gazeta Sinjali.
Por, ai shprehet i bindur se Vuçiqi “nuk do të dorëzohet”, sipas tij “ai do ta lërë kokën e tij për Serbinë”.
“Unë e di se sa presion ka Vuçiq në këtë moment dhe e di se sa të vështira do të jenë orët e ardhshme, por gjithashtu e di se Komandanti Suprem i Ushtrisë Serbe dhe Presidenti i Serbisë nuk është dorëzuar dhe nuk do të dorëzohet. Unë pashë Aleksandar Vuçiq kur ai kundërshton njerëzit më të fuqishëm në botë dhe e di që ai më parë do të lërë kokën e tij sesa Serbinë,” tha Vulin.
Lajmi se emisari amerikan, Richard Grenell, i prezantoi Vuçiqit një dokument ku kërkohet njohja e Pavarësisë së Kosovës, u demantua nga vetë i dërguari i presidentit Donald Trump./Gazeta Sinjali/