image Ministri Reçica kërkon që Serbia të paditet për gjenocidin e kryer në Kosovë

Kosovë

Ministri Reçica kërkon që Serbia të paditet për gjenocidin e kryer në Kosovë

news image

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në vend gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës.

Ai ka thënë se pamjet e ditëve të fundit që fatkeqësisht po vazhdojnë edhe sot janë tërësisht të panevojshme dhe si të tilla po vazhdojnë të tronditin themelet e shtetit dhe mbi të gjitha ato të luftës së UÇK-së, që për ne është e shenjtë.

Gjithashtu, Reçica vazhdoi tutje se “jemi para një realiteti ku askush nuk është për të mos e respektuar drejtësinë, siç e thanë edhe vet protagonistët të cilët u atakuan nga kjo ngjarje që qetësia, urtësia dhe maturia na duhet më shumë se kurrë”.

“Ne duhet me veprime konkrete të kryejmë përgjegjësitë tona ndaj protagonistëve dhe familjeve të tyre, ta dinë se shteti është me ta dhe e kanë mbështetjen gjatë procesit nga Gjykata Speciale. Ne kemi ligjin për këtë gjë dhe nuk besoj se do të kemi pengesa për realizimin e saj”, ka thënë ai gjatë kësaj mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë.

Ministri Reçica tha se “ne kemi obligim dhe bëj thirrje për një unitet të gjithmbarshëm politik, për t’i përballuar më lehtë këto sfida me të cilat po përballet vendi ynë dhe çlirimtarët e saj. Është paradoks arrestimi i krerëve të UÇK-së në Kosovë ndërsa zëdhënësi dhe ministri i informacionit të Serbisë së Millosheviqit janë kryetar parlamenti dhe president shteti të Serbisë sot”, ka thënë Reçica.

Po ashtu, ministri nga radhët e Nismës Socialdemokrate u shpreh se duhet ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim edhe me BE-në që kryesit e vërtetë të krimit në Kosovë të vihen para drejtësisë, sepse sipas tij “gjenocidi është udhëhequr nga hegjemonizmi serb i prirë nga Millosheviqi, dhe akterët e tij kryesorë, të cilët sot udhëheqin me atë shtet”.

/Gazeta Sinjali/