Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka thënë se që nga marrja e detyrës së tij, fokus të veçantë i ka kushtuar konsumatorit, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se janë çdo ditë në teren për të parë nga afër se çka po iu servohet qytetarëve për konsum dhe nevoja të ndryshme.
“Në tregun tonë kanë qarkulluar shumë mallra të cilat nuk kanë pas ndonjë deklaracion të mirë të shtetit nga vjen dhe që nga marrja e detyrës sime kemi pasur shumë inspektime të cilat kanë dhënë efekte pozitive. Kemi larguar dhjetëra produkte nga tregu vendor dhe kemi nxjerë disa vendime që shkojnë në fokus të mbrojtjes së konsumatorit të vendit”, ka thënë Krasniqi në një intervistë.
Më tutje, ai ka thënë se në këtë linjë është edhe vendimi për ndalimin e përkohshëm të importit të vajit të palmës, sepse ka pasur plot produkte të cilët janë shitur me deklaracion se kanë përmbajtje të qumështit dhe në fakt ato kanë pas vetëm përmbajtje të vajit të palmës.
Krasniqi ka folur edhe për importimin e produkteve nga Serbia, duke thënë se statistikat flasin së ka rënë dukshëm konsumimi i produkteve nga Serbia, gjithmonë duke i krahasuar me periudhat tjera vjetore.
Ministri që vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate, ka thënë se pandemia ka goditur çdo sektor në vendin tonë dhe njëri ndër ta është edhe gastronomia.
Ai thotë se po luan rolin e avokatit të bizneseve duke i mbështetur në kërkesat e tyre dhe po mundohet ta bëjë më të mirën e mundshme, gjithmonë duke pasur parasysh shëndetin e qytetarëve.
Krasniqi ka thënë se shpreson në kalimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike dhe kështu qytetarët dhe bizneset ta ndjejnë̈ dorën e shtetit. /Gazeta Sinjali/