Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, përmes një njoftimi të bërë në Facebook, ka thënë se Komiteti për Koordinim dhe Vlerësimin e situatës lidhur me koronavirusin, do të takohet sot në orën 14:00, për të shqyrtuar situatën epidemiologjike në Kosovë.
“Ky trup ndërsektorial do të shqyrtojë nivelin e përgatitjeve të bëra lidhur me ballafaqimin me raste eventuale të Koronavirusit në Kosovë dhe do të propozojë masa të reja varësisht prej vlerësimeve që do të dalin nga ky takim, në të cilin janë të ftuar të marrin pjesë në cilësinë e vëzhguesve edhe partner nga misione të ndryshme ndërkombëtarë në Kosovë si OBSh, UNFPA, USAID, etj.
Në përfundim të takimit, Komiteti do ta njoftoj publikun me çfarëdo vendimi të marrë nga ky takim”, ka thënë Vitia.
Kujtojmë që momentalisht në Klinikën Infektive në QKUK, janë raportuar dy raste të dyshuara me koronavirus, bëhet fjalë për dy vajza./ Gazeta Sinjali/