Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj, sot kanë zhvilluar takimin e parë me grupin punues për reformën në sistemin e drejtësisë duke përfshirë edhe vettingun.
Takimi është mbajtur në mënyrë elektronike ku ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se ky grup është pjesë e një procesi të konsultimeve dhe se kërkesa e qeverisë është bashkëpunimi me institucionet.
“Është tejet me rëndësi fakti që ky grup është pjesë e një procesi të konsultimeve, poashtu është pjesë e një procesi në të cilin gjithpërfshirja ka qenë kërkesa jonë kryesore dhe për këtë kanë treguar gatishmëri për të bashkëpunuar shoqëria civile, institucionet dhe të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë me qëllim të garantimit të objektivitetit dhe transparencës” tha Selimi.
Ministri Selimi theksoi se me procesin e llogaridhënies për reformën në drejtësi do t’i tregojnë SHBA-së dhe BE-së se Qeveria e Kosovës është serioze në këtë aspekt.
“Me këtë përçojmë një mesazh përmes së cilit i tregojmë partnerëve tanë strategjikë, SHBA, BE si dhe anëtarëve tjerë, se Qeveria e Republikës së Kosovës është serioze në realizimin e procesit të reformës në drejtësi dhe vendimet të cilat do të merren, do të jenë gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme”, tha ai.
Nga ana tjetër Zëvendëskryeministri Selmanaj në fjalën e tij ka theksuar rëndësinë që ka ky proces i reformës në drejtësi përmes së cilit synohet përmirësimi i sistemit të drejtësisë.
“Jemi përball një procesi shumë të rëndësishëm dhe si i tillë, nuk do të jetë pronë as e politikës dhe as e Qeverisë. Përmirësimi i sistemit të drejtësisë mbetet prioritet për ne, ndërsa modeli se si do të jetë ky proces do të jetë rezultat i punës tuaj. Deri në fund të muajit tetor të këtij viti, presim nga ky grup që të përgatis raportin përfundimtar mbi skenarët e Reformës në Sistemin e Drejtësisë dhe pas kësaj ne do të marrim obligim që t’i materializojmë këto vlerësime që dalin nga puna juaj në këtë proces” tha Selmanaj.
Nga takimi i Grupit Punues, pjesëmarrësit u pajtuan që kryesues i këtij grupi të jetë përfaqësuesi nga shoqëria civile, Florent Spahija./ Gazeta Sinjali/