Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka folur për projektin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.
Çeku në këtë konferencë ka thënë se mbrapa debateve të shumta që janë bërë ditëve të fundit qëndron Serbia, raporton Gazeta Sinjali.
“Duhet të themi qartë që populli shqiptar ka vënë dëshmi të panumërta të angazhimit anti-fashist dhe të angazhimit të mbrojtjes së popullsisë hebreje. Debati i ditëve të fundit ka origjinën në Serbi dhe kjo është e qartë. Ky është një narracion gënjeshtër që vjen nga Serbia sepse faktet historike nuk janë në anën e Serbisë dhe faktet e përgënjeshtrojnë narracionin e Serbisë. Shtëpia e Xhafer Devës është monument me pronësi publike, ka vlera të mëdha estetike, shoqërore dhe të tjera. Paraqet tipologji të veçantë të ndërtimit, është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe ka nevojë për restaurim. Ndërhyrja e fundit në të është bë në vitin 2018, pra po e përsëris po restaurohet monumenti nuk po rehabilitohet historia e Xhafer Devës”, ka deklaruar Çeku.
Po ashtu, Çeku ka thënë se programi për restaurimin e këtij monumenti asnjëherë nuk ka pasur për qëllim që të dëmtojë dikë.