Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur për punësimin e motrës së tij, Suljota Aliu në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, duke thënë se afërsia familjare me të nuk ka ndikuar në punësimin e saj.
Aliu ka thënë se emërimi i motrës së tij në OFK-në është bërë me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Me aq sa kam kuptuar unë angazhimi i saj në këshill është bërë me kërkesën e ministrisë. Së pari e kam pyetur motrën, ajo më ka thënë: po më kanë ftu. Përzgjedhja në këshill nuk ka të bëjë me Suljote Aliu, motrën e Liburn Aliun, as që kam të bëjë fare me këtë punë”, ka thënë Aliu në Kallxo Përnime.
Kurse sa i përket punësimit të kushërirës së tij, Nita Kelmendi Hysa, në këshillin mbikëqyrës të Odës së Farmacistëve të Kosovës, Aliu ka thënë se është marrë për bazë përgatitja profesionale.
“Edhe Nita edhe Sujota më shumë janë dëmtuar për faktin që është motra ime dhe vajza e axhës”, ka shtuar ai.
Ali ka shtuar se lajmi për punësimin e motrës së tij ka bërë bujë sepse kjo e fundit po punon për të parandaluar keqpërdorimet me barnat./Gazeta Sinjali/