image Ministri Aliu: Aktakuza ndaj meje duhej ngritur nëse do e jepja atë leje ndërtimi

Drejtësi

Ministri Aliu: Aktakuza ndaj meje duhej ngritur nëse do e jepja atë leje ndërtimi

news image

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur për aktakuzën e ngritur ndaj tij, për shkak se nuk kishte lëshuar një leje ndërtimi sa ishte drejtor i Urbanizimit në Komunën e Prishtinës.

Sipas tij, kjo aktakuzë do të duhej të ngrihej ndaj tij, sikur ai të kishte lëshuar leje, pasi që, ai thotë se në atë vend ishte paraparë ndërtimi i një shkolle.

“Unë mendoj se për rastin e aktakuzës në fjalë është dashur të ngrihej aktakuzë po të jepja leje. Procedurat janë të qarta. Është Plani Rregullues Urban. Ky dokument është miratuar në vjeshtë të vitit 2013. Në bazë të atyre planeve kemi punuar. Në atë lokacion parashihet shkollë. Nuk mund të jepja leje për diçka tjetër. Nuk kemi mundur të japim leje. Pala ka bërë ankesa. E ka dërgu edhe në Kuvend Komunal këtë.”

Asamblistët e PDK-së donin t’ia rregullonin palës çështjen. Me heq shkollën e me vu diku tjetër. Ministria e pa të jashtëligjshme dhe e ktheu mbrapsht kërkesën. Momenti kur u kthye mbrapsht nga Ministria e u tërhoq nga ana e Kuvendit Komunal, nuk kishim si të vepronim ndryshe. Ka qenë e qartë. Por pala normal ka thënë se do të padisë. E ka bërë këtë. Problemi është mënyra se si është ngritur aktakuza. Do të ishte precedent i rrezikshëm për qindra e qindra refuzime lejesh. Në këtë aspekt jam komod, e di se kam vepruar drejt”, ka thënë Aliu në KTV.

Seanca e dytë në rastin ku Aliu po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do të mbahet më 7 qershor të këtij viti./Gazeta Sinjali/