image Minatorët në grevë/Kuçi: Një vendim për 'Trepçën' merret brenda javës

Financa

Minatorët në grevë/Kuçi: Një vendim për ‘Trepçën’ merret brenda javës

news image

Për shkak se nuk i morën pagat për muajin tetor dhe nuk do t’i marrin as për këtë muaj, punëtorët e ndërmarrjes publike “Trepça” kanë hyrë dje në grevë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ata kanë paralajmëruar se greva e tyre do të vazhdojë, nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen një zgjidhje të shpejt afatshkurtër.

Por, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, thotë për Gazetën Sinjali se pagat e minatorëve nuk janë problem i qeverisë, por i vetë ndërmarrjes.

Sidoqoftë, ai premton se edhe këtë herë do t’i dalin në ndihmë “Trepçës” me një subvencion për shkak të bllokimit të llogarive.

Kuçi shpreson se një vendim i tillë të merret brenda javës, por thotë se procesi mund të zgjasë më shumë.

“Nuk e kemi zgjidhur problemin e pagave, nuk është problem i qeverisë, është problem i kompanisë. Ne i kemi lëshuar të gjitha mjetet që i kemi pasur, edhe për emergjencë edhe për çështjet e COVID-19. I kemi pasur në dispozicion për ta diku rreth 7 milionë euro. Ajo që mund të bëjmë ne si qeveri, është të japim një subvencion për çështjet e bllokimit të llogarive dhe jemi duke shikuar që sa më shpejtë të ndodhë. Kurse, puna e kompanisë është çështje që e rregullojnë bordet dhe menaxhmenti i ‘Trepçës’.

Ne u japim përkrahje, edhe në aspektin ligjor, u kemi dhënë përkrahje edhe gjatë pandemisë, për shkak të çështjes së COVID-19 dhe po mundohemi prapë t’u japim përkrahje, aq sa i kemi edhe ne mundësitë si qeveri. Shpresoj se brenda javës do të marrim një hap konkret, së paku në kuptimin e një vendimi, por si proces mund të zgjasë”, tha Kuçi.

Mirëpo, kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Hysni Vrajolli, tha se punëtorët e kombinatit janë të revoltuar dhe se nuk mund të presin me javë për subvencionin e qeverisë, për të cilën pret të jetë 5 milionë euro.

“Kemi dërguar edhe shkresa, kemi biseduar, na kanë lajmëruar. Po presim takim me ministri. Nga takimi me të presim që qeveria të na subvencionojë për pagat e muajit tetor. Këta janë revoltuar dhe shteti duhet ta zgjidhë këtë problem, me javë nuk pritet. Shuma që presim nga qeveria për këtë vit është 5 milionë euro, sa na jep qeveria nuk e dimë”, tha Vrajolli për Gazetën Sinjali.

Por, ndryshe nga kryeshefi i “Trepçës”, kryetari i Sindikatës së punëtorëve, Gani Osmani, thotë se shuma që presin nga qeveria është 2 ose 3 milionë euro, si zgjidhje afatshkurtër, për të mbuluar pagat e muajit tetor dhe nëntor.

Osmani për Gazetën Sinjali thotë se po presin sot një përgjigje nga ministri, në të kundërtën paralajmëron se punëtorët do të vazhdojnë të qëndrojnë në grevë ose edhe të nisën për në Prishtinë.

“Bordi dhe menaxhmenti po presin përgjigje nga ministri dhe kryeministri. Ne po presim përgjigje sot, ata i kanë dërguar kërkesë me shkrim edhe ministrit, që të na kthejë sa më shpejt përgjigje. Këshilli organizativ i grevistëve ka marrë vendim me hy në grevë, nëse nuk marrim përgjigje ose do të hyjmë në grevë, do të rrimë në minierë ose do të nisemi për në Prishtinë.

Ne po kërkojmë që për këtë muaj, ose për dy muaj mbulimin e pagave. Ne e shesim koncentratin, çmimi është ngritur, ne ngrihemi shpejt në këmbë, por pandemia na ka goditë. Ne po presim një zgjidhje afatshkurtër, do të thotë 2 ose 3 milionë euro, vetëm për pagat e muajit tetor dhe nëntor”, tha Osmani për Gazetën Sinjali.

Osmani ankohet se pandemia i ka goditur shumë, megjithatë thotë se për asnjë moment nuk e kanë ndalur punën, ndonëse nuk kanë marrë shtesa nga qeveria.

Madje, thotë se minatorët po vazhdojnë të punojnë pa asnjë masë mbrojtëse.

Ne nuk e kemi reduktuar punën fare, të gjithë punëtorë kemi punuar, se ashtu i kemi rrethanat, nuk mund të punojnë pa njëri-tjetrin. Por, nuk kemi pranuar asnjë shtesë nga qeveria. Përafërsisht 20 punëtorë kanë qenë të infektuar. Dje më ka lajmëruar një punëtor që ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Mbi 500 punëtorë punojnë, asnjëri nuk ka masë, dorëza e dezinfektues, mund të shpërthejë ndonjë katastrofë”, përfundoi ai.

Llogaritë bankare të “Trepçës” janë bllokuar më 23 tetor të këtij viti, për shkak të një borxhi 7 – 8 mijë euro që kjo ndërmarrje i detyrohej një operatori ekonomik./Gazeta Sinjali/