Mimoza Kusari – Lila, i është kthyer kohës para zgjedhjeve të 6 tetorit, duke folur për refuzimin e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion parazgjedhor me Alternativën.
Ajo ka thënë se ka qenë “dush i ftohtë” refuzimi nga VV për koalicion parazgjedhor. Mes të tjerash ajo ka folur edhe për arsyet e largimit të Ilir Dedës nga partia.
“Mosrealizimi i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike ka bërë që VV ta ketë vendimin që të shkojë e vetme në zgjedhje por pa përjashtuar përfaqësues të partive tjera nën llogon e tyre. Kjo ishte edhe biseda e fundit që e kam pasur me Albinin në kohën kur kishte ende kohë për koalicion”, ka thënë ajo në Rubikon të KTV-së.
“Kjo natyrisht se ishte një dush i ftohtë për atë moment sepse mundohesh dhe punon për partinë. Alternativën nuk e ka lëshuar askush për këtë vendim, kanë qenë ata që në fakt janë distancuar prej kohës kur edhe është bërë distancimi i Ilirit (Deda) vetë nga Alternativa si rrjedhojë e mosrealizimit të një marrëveshje për ekipin e dialogut, për çka edhe ka qenë insistimi i tij i vazhdueshëm në bashkëpunimin me PSD-në, domethënë ka ekzistuar ajo ftohje prej asaj periudhe dhe pastaj është zyrtarizuar kur është publikuar lista jonë me VV-në”, ka deklaruar më tej ajo, për largimin e bashkëthemeluesit të partisë.