Rreth 1.5 milion njerëz të tjerë në Kaliforni do të mbeten sot pa energji elektrike, pasi kompania e furnizimit do ta ndërpresë qëllimisht rrymën, nga frika se kabllot e dëmtuara nga zjarret mund të shkaktojnë zjarre të reja.
Pacific Gas & Electric e ka ndërprerë tashmë rrymën për 970 mijë shtëpi dhe biznese.
Zjarret, e shpërndara nga erërat e forta, kanë përfshirë Kaliforninë që gati dy javë.
Qindra-mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa guvernatori i shtetit, Gavin Newsom, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme mbarëkombëtare.
Flakët kërcënojnë shumë territore në veri dhe jug të shtetit amerikan.
Ato kanë arritur tashmë edhe qytetin Llos Angjelles, duke djegur qindra hektarë tokë dhe duke vënë rreth 10,000 ndërtesa nën alarmin e detyrueshëm të evakuimit.
Në veri të Kalifornisë, shkollat mbeten të mbyllura në qarkun Sonoma, ku dhjetëra-mijëra shtëpi dhe biznese janë të kërcënuara.
Një zjarr i madh ka përfshirë edhe një zonë të Luginës Napa të Kalifornisë, e njohur për vreshtat e shumta.
Zjarret e vitit të kaluar në këtë shtet kanë lënë rreth 100 njerëz të vrarë.
“Stina e zjarreve” atje tradicionalisht ka filluar në verë dhe ka zgjatur deri në vjeshtën e hershme, por ekspertët tani paralajmërojnë për rrezik gjatë gjithë vitit.
Si shkaktarë kryesorë për këtë përmenden kushtet e motit dhe ndryshimet klimatike./Gazeta Sinjali/