image Miliona euro të shpenzuara për projektet që nuk u funksionalizuan asnjëherë

Financa

Miliona euro të shpenzuara për projektet që nuk u funksionalizuan asnjëherë

news image

Instituti GAP publikoi sot raportin “Qëndrueshmëria e investimeve kapitale të komunave”. Sipas këtij raporti, ani pse u harxhuan miliona euro, një numër i konsiderueshëm i projekteve kapitale nuk janë funksionalizuar asnjëherë apo nuk kanë arritur rezultatin e planifikuar.

“Përkundër nevojës së lartë për investime, janë shpenzuar miliona euro të taksapaguesve për ndërtimin e objekteve të ndryshme të cilat nuk janë shfrytëzuar. Në disa raste, objektet e ndërtuara janë dëmtuar nga mosshfrytëzimi i tyre”, thotë GAP.

Raporti i Institutit GAP ofron shembuj të investimeve të kryera që nga viti 2000 të cilat akoma nuk janë funksionale.

Ndërsa raste të tjera përfshijnë ndërtimin e shkollave, që pas përfundimit të ndërtimit është konstatuar që terreni është jo i përshtatshëm për ardhje/vajtje të nxënësve, ose ndërtimin e qendrave mjekësore për të cilat pas përfundimit është konstatuar që nuk ka numër të mjekëve për t’i bërë ato funksionale, e deri të ndërtimi i kontejnerëve nëntokësorë për mbeturina, që vetëm pas ndërtimit është konstatuar që Kosovës i mungojnë automjetet adekuate për tërheqjen e mbeturinave në sistemin nëntokësor.

“Këto raste, përveç që dëshmojnë mos planifikim të duhur të investimeve, janë edhe rezultat i ndryshimeve demografike dhe rrjedhimisht, mungesa e nevojës për shfrytëzimin e tyre; mosmirëmbajtja dhe dëmtimi i projekteve pas përfundimit të investimeve; kontestet pronësore; mungesa e fondeve të mjaftueshme për të përfunduar projektin dhe në disa raste pamundësia e komunave për të pranuar staf me pagesë të rregullt, në menaxhimin ose funksionimin e objekteve të caktuara”, vijon GAP.

Sipas këtij raporti, arsyet që mund të dërgojnë në investime kapitale të dështuara, në njërën anë, ndërlidhen me mospërfshirjen e mjaftueshme të grupeve të interesit gjatë fazave të projekteve dhe në anën tjetër, me mosrespektimin e plotë të procedurave ligjore të prokurimit, duke filluar nga hartimi i kontratave me operatorët ekonomikë dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre./GazetaSinjali/

65425_qendrueshmeria_kapitale