image Milatoviq nga Beogradi: Ka tema ku s’kemi qëndrime të njëjta me Serbinë, Mali i Zi e ka njohur Kosovën në 2008

Politikë

Milatoviq nga Beogradi: Ka tema ku s’kemi qëndrime të njëjta me Serbinë, Mali i Zi e ka njohur Kosovën në 2008

news image

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, i pyetur nga RTS për qëndrimin e vendit të tij për Kosovën pas takimit me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se vendi i tij dhe Serbia i kanë 95 për qind të çështjeve që i bashkojnë.

Por që sipas tij, çështja e Kosovës nuk është një prej tyre, dhe se udhëheqja shtetërore e vendit nga e cila vjen duhet t’i qaset në një mënyrë tjetër temave që i ndajnë.

Ai ka përkujtuar se Kosova është njohur nga Podgorica në vitin 2008 dhe ka thënë se është e nevojshme të kuptohet qëndrimi i Serbisë.

“Ju e dini që Mali i Zi e ka njohur Kosovën në vitin 2008, por ne duhet të jemi njerëz diku dhe politikisht të arsimuar për të kuptuar pozicionin e Serbisë. Ajo që është e rëndësishme për mua është që tensionet në veri të Kosovës të vihen nën kontroll dhe de-përshkallëzohet”, ka theksuar ai.

Ai e mbështeti dialogun dhe shprehu dëshirën e tij.

“Në këtë kuptim, nuk di çfarë të them tjetër pa e shprehur sinqerisht qëndrimin tim. Nuk jam i lumtur për tensionet dhe apeloj sërish për deeskalim. Mendoj se duhen dy vetë për tango. Qëndrimi i BE-së dhe dialogu që ekziston në platformën e prezantuar nga BE-ja është ajo që Podgorica zyrtare e mirëpret sot”, tha Milatoviq.

/GazetaSinjali/