Presidenti malazez, Jakov Milatoviq ka thënë se nuk është i lumtur për tensionet në veri të Kosovës dhe ka bërë thirrje për de-eskalim, duke i mirëpritur përpjekjet e Beogradit në atë drejtim.
Milatoviq gjatë vizitës së tij në Serbi tha se ka tema për të cilat dy shtetet nuk kanë pikëpamje të njëjta dhe se një prej tyre është edhe çështja e Kosovës.
“Ju e dini që Mali i Zi e ka njohur Kosovën në vitin 2008, por ne duhet të jemi njerëz diku dhe politikisht të arsimuar për të kuptuar pozicionin e Serbisë. Ajo që është e rëndësishme për mua është që tensionet në veri të Kosovës të vihen nën kontroll dhe de-përshkallëzohet. E gjithë kjo ndikon te të gjithë ne. Ne vërtet mbështesim sinqerisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Nuk jam i lumtur për tensionet, bëj thirrje për de-përshkallëzimin. I mirëpres përpjekjet e Beogradit për të de-përshkallëzuar, por kjo vlen për të dyja vendet”, tha presidenti malazez.
Ai këtë e tha në një konferencë të përbashkët për media me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se si është qëndrimi i Malit të Zi ndaj Kosovës dhe nëse ka një pasqyrë më të qartë të situatës pas bisedës me presidentin Vuçiq.
Ai theksoi se Beogradi dhe Podgorica duhet të fokusohen në temat që i bashkojnë, e jo në ato për të cilat kanë pikëpamje të ndryshme.
“Kemi folur shumë këto dy ditë, 95 për qind e të cilave janë tema që na afrojnë dhe ato duhet të jenë në qendër të veprimeve tona”, tha Milatoviq.
Ai ka theksuar se tensionet në Kosovë prekin Malin e Zi, si shtet fqinj, por edhe gjithë rajonin.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, pas bisedës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Milatoviq i bëri ftesë publike Vuçiqit që të vizitojë zyrtarisht Podgoricën dhe siç thotë ai, të tregojë se është kthyer një fletë e re në marrëdhëniet mes dy vendeve. .