Një gjykatës federal i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se kompania Meta Platforms duhet të përballet me një padi pas pretendimeve se ka shkelur privatësinë mjekësore të pacientëve që trajtoheshin nga spitalet dhe ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor që përdornin mjetin e saj të gjurmimit “Meta Pixel”, raportoi të dielën Reuters.
Gjykatësi William Orrick në San Francisko ka thënë se paditësit mund t’i ndjekin pretendimet se Meta ka shkelur një ligj federal për përgjimin dhe një ligj të privatësisë në Kaliforni, dhe ka shkelur premtimet e veta kontraktuale që rregullojnë privatësinë e përdoruesve në Facebook.
Në një vendim prej 26 faqesh të enjten, gjyqtari tha se çështja, bazuar në provat e deritanishme, nuk mohon pretendimet e besueshme se informacione të ndjeshme të kujdesit shëndetësor janë marrë qëllimisht dhe i janë transmetuar Metës.
Sipas paditësve, Meta Pixel i ka dhënë Metës informacione të ndjeshme për shëndetin e tyre kur ata hynë në rrjetet sociale të pacientëve, ku ishte instaluar mjeti i gjurmimit, duke i mundësuar Metës të fitonte para nga reklamat.
Padia kërkon dëmshpërblim të papërcaktuar për të gjithë përdoruesit e Facebookut, informacioni shëndetësor i të cilëve është marrë nga Meta.