Përdorimi i dhunës ndaj nxënësve nga ana e mësimdhënësve, si duket po vazhdon të jetë i pranishëm në shkolla.
Mësuesja e Gjuhës Angleze D.A, në shkollën ‘Asdreni’ në Pejë, dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një nxënësi.
Këtë e thotë nëna e G.L 8 vjeçar, e cila tregon edhe për gjendjen e fëmijës kur kthehej nga shkolla në shtëpi.
Sipas nënës dhe raportit që ka marrë kur i është bërë ekzaminimi mjekësor, besohet se mësuesja ka pasur unazë në duar kur ka goditur fëmijën. Rastin, tashmë A.L e ka paraqitur në Polici.
Edhe disa prindër që kanë fëmijët në këtë shkollë, kanë pohuar prapa kamerës, se po ushtrohet dhunë nga e njëjta mësuese.
Nga Policia në Pejë, në një përgjigje për T7 kanë thënë se janë në fazën e hetimit të këtij rasti. Derisa kanë shtuar se nuk janë të gatshëm të dhënë ndonjë detaj.
Ndërkohë, i njëjti fëmijë dyshohet se ka pasur përvoja të tilla edhe më herët me një mësuese tjetër./Gazeta Sinjali/