image Mësuesi Fazli Kikaj nga Prizreni ishte dënuar me burgim para disa vitesh për kanosje

Drejtësi

Mësuesi Fazli Kikaj nga Prizreni ishte dënuar me burgim para disa vitesh për kanosje

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi ekskluzivisht për fillimin e hetimeve ndaj mësuesit në pension, Fazli Kikaj, nga Prizreni, të cilit iu publikuan pamje kur shihej se si tentoi ta bindte për marrëdhënie intime një vajzë 15-vjeçare, e cila në realitet është gazetare në Shqipëri. Policia konfirmoi për Sinjalin se janë tri raste të hapura ndaj tij, “kanosje”, “dhunë në familje” dhe “prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Për veprën penale “kanosje” ka një vendim të plotfuqishëm në Gjykatën Themelore në Prizren.

Zëdhënësi i kësaj gjykate, Marcel Lekaj, e ka konfirmnuar për Sinjalin se Kikaj ka qenë i dënuar me burgim prej 3 muajsh.

“Në evidencën penale, ndaj të pandehurit F.K., është I evidentuar një (1) rast me vendim të plotfuqishëm, për veprën penale Kanosja, nga neni 185 I Kodit Penal të Kosovës. Ndaj të pandehurit F.K., është shqiptuar Dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në kohëzgjatje prej një (1) viti nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale. Aktgjykimi ka marrë formën e prerë (Plotfuqishmërinë) me datë 19.02.20216”, thuhet në përgjigjen e Lekajt për Sinjalin.

Detajet tronditëse u publikuan në emisionin ‘Piranjat’ në ABC, ku përkundër që gazetarja është prezantuar si 15-vjeçare, 76-vjeçari ka bërë biseda erotike me të dhe i ka dërguar fotografi e video të organit të tij gjenital. Ai është takuar më pas me ‘të miturën’ në Prizren, të cilën e ka ftuar në momentin e parë në shtëpinë e tij.

Lidhur me rastin e fundit, ku emri i 76-vjeçarit u lakua në mediat e Shqipërisë për pedofili, Policia ka deklaruar se Kikaj nuk është gjetur në adresën e banimit të tij, por është njoftuar nga organet e rendit që të paraqitet në stacion policor.

Por mësuesi prizrenas është bërë ‘i gjallë’ mëngjesin e sotëm, ku përmes rrjetit social Facebook, ka biseduar me gazetaren e Gazetës Sinjali, e cila ka tentuar të marrë një deklaratë të tij pas pamjeve skandaloze që u bënë publike mbrëmë.

Ai fillimisht tha se nuk e ka idenë se për çka është fjala, ndërkohë që akuzoi se ajo çfarë është publikuar është “kamuflazh dhe skenar“.

Për akuzat për pedofili, Kikaj e pati një arsyetim të shkurt se “ende jam normal me mend“.  Ai refuzoi të japë një deklaratë për rastin në të cilin është përfshirë sepse sipas tij “s’ka çka të thotë“.

Tutje, në bisedën e gazetares së Sinjalit me Kikajn, ai e lëshoi një koment që lë shumë për të dëshiruar. “Nuk kam gabuar kur kam qenë i ri e lëre më tani“, tha Kikaj derisa deklaroi se para se të akuzohet për pedofili “duhet pa disa gjëra përpara“.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/