image Nisin hetimet ndaj 76-vjeçarit nga Prizreni i cili dyshohet për pedofili

Ekskluzive

Nisin hetimet ndaj 76-vjeçarit nga Prizreni i cili dyshohet për pedofili

news image

Mësuesi në pension, Fazli Kikaj, nga Prizreni, është demaskuar teksa tentonte ta bindte për marrëdhënie intime një vajzë 15-vjeçare, e cila në realitet është gazetare në Shqipëri. Detajet tronditëse u publikuan në emisionin ‘Piranjat’ në ABC, ku përkundër që gazetarja është prezantuar si 15-vjeçare, 76-vjeçari ka bërë biseda erotike me të dhe i ka dërguar fotografi e video të organit të tij gjenital. Ai është takuar më pas me ‘të miturën’ në Prizren, të cilën e ka ftuar në momentin e parë në shtëpinë e tij.

Lidhur me rastin, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në Zyrën për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në Drejtorinë Rajonale në Prizren, të cilët kanë deklaruar se Fazli Kikaj nuk është arrestuar ende dhe në konsultim me Prokurorinë, Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren ka filluar hetimet ndaj 76-vjeçarit.

Sipas Policisë, Kikaj nuk është gjetur në adresën e banimit të tij, por është njoftuar nga organet e rendit që të paraqitet në stacion policor.

Por Kikaj është bërë ‘i gjallë’ mëngjesin e sotëm, ku përmes rrjetit social Facebook, ka biseduar me gazetaren e Gazetës Sinjali, e cila ka tentuar të marrë një deklaratë të tij pas pamjeve skandaloze që u bënë publike mbrëmë.

Ai fillimisht tha se nuk e ka idenë se për çka është fjala, ndërkohë që akuzoi se ajo çfarë është publikuar është “kamuflazh dhe skenar“. 

Për akuzat për pedofili, Kikaj e pati një arsyetim të shkurt se “ende jam normal me mend“.  Ai refuzoi të japë një deklaratë për rastin në të cilin është përfshirë sepse sipas tij “s’ka çka të thotë“.

Tutje, në bisedën e gazetares së Sinjalit me Kikajn, ai e lëshoi një koment që lë shumë për të dëshiruar. “Nuk kam gabuar kur kam qenë i ri e lëre më tani“, tha Kikaj derisa deklaroi se para se të akuzohet për pedofili “duhet pa disa gjëra përpara“.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/