image Mësoni nëse do të ketë shtyerje të pagesës së kësteve të kredive për qytetarët

Financa

Mësoni nëse do të ketë shtyerje të pagesës së kësteve të kredive për qytetarët

news image

Kriza ekonomike është duke vazhduar ndërkaq Banka Qendrore e Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do të ketë sërish shtyerje të afatit për pagesën e kësteve të kredive.

E në Shoqatën e Bankave të Kosovës thonë se derisa nuk ka ndonjë vendim të ri do të mbetet në mes të bankës dhe klientit, për të bërë riprogramimin e kredive nëse vlerësohet se ka vështirësi financiare nga ana e klientit për të bërë pagesat.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, përmes një shkrese ka thënë se do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar dhe se varësisht prej kësaj do të merret një vendim.

“Nga momenti kur janë liruar masat kufizueses dhe kanë filluar punën shumica e veprimtaritë ekonomike, dhe me vazhdimin e largimit të masave kufizuese, konsiderojmë se përfundon edhe masa emergjente e vendosur gjatë muajve të kaluar. Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë së monitoruari me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar, në mënyrë që të japim kontributin tonë të mëtejmë në rimëkëmbjen e ekonomisë, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë ruajtjen e stabilitetit financiar që është edhe detyra primare e BQK-së”, thuhej në këtë shkresë elektronike.

Sipas BQK-së vlera e kërkesave për shtyrje të kësteve kreditore sipas të dhënave për periudhën mars-prill-maj 2020 është 1.95 miliardë euro, apo 63.5% e gjithsej portfolios së kredive aktive të sektorit bankar.

Ndërsa, përmes kësaj shkrese zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti deklaroi se më 8 qershor ky institucion ka aprovuar Udhëzuesin për Ristrukturim të Kredive për shkak të COVID-19 i cili specifikon që kërkesat për ristrukturim të kredive pranohen deri më 31 gusht 2020.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që nga data 8 qershor 2020, ka aprovuar Udhëzuesin për Ristrukturim të Kredive për shkak të COVID-19 i cili specifikon që kërkesat për ristrukturim të kredive pranohen deri më 31 gusht 2020, përderisa çështja e shfuqizimit të pezullimit të klasifikimit dhe provizionimit të klientëve është subjekt i vlerësimit përkitazi me zhvillimet përkatëse në ekonomi”, tha Ahmeti.

E deri në një vendim të radhës, kryetari i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija tha se shtyerja e pagesës së kësteve të kredive i mbetet bankave të bashkëbisedojnë me kredimarrësit dhe të bëjnë riprogramimin e kredive në rastet kur ata e vlerësojnë që është e mundshme.

Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim që afati i shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive të jetë 3 muaj, nga data 16 mars deri me 16 qershor 2020.

Banka Qendrore kishte kërkuar nga bankat që të mos aplikojnë interes ndëshkues e ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve gjatë periudhës së pandemisë, derisa kishte bërë me dije se nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra./ Gazeta Sinjali/