image Mësimdhënësit protestojnë më 8 prill, Jasharaj tregon datën kur mund të fillojë greva - Sinjali

Mësimdhënësit protestojnë më 8 prill, Jasharaj tregon datën kur mund të fillojë greva

news image

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se është vendosur që mësimdhënësit të protestojnë më 8 prill.

Jasharaj ka paralajmëruar grevë në të gjitha institucionet e arsimit dhe ato të kulturës pas datës 20 prill, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre nga Qeveria e Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

“Më 8 prill do të shkojmë në një protestë, besoj me numër të kufizuar për të mos e tepruar me numrin, ngase mund të ketë edhe probleme të tjera… Pas 20 prillit, unë siç po e shoh nuk do të ketë rezultate nga pritjet, atëherë pas 20 prillit do të fillohet me grevë, nuk do të ketë më protesta, po flas me autoritet të plotë vetëm me SBASHK-un. Nëse deri më 20 prill, pas 8 prillit nuk do të ketë asnjë lëvizje pozitive, atëherë sistemi arsimor që nga çerdhet deri tek universitet, por edhe institucionet e Kulturës, do të jenë në grevë, pikërisht për dy kërkesa”, ka thënë ai.

Jasharaj po ashtu përsëriti se mësimdhënësit po kërkojnë nga 100 euro mbështetje shtesë deri në miratimin e ligjit për paga dhe përfshirje aktive në hartimin e ligjit.

Në kongresin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj mori besimin nga shumica e 121 delegatëve, duke u rizgjedhur kështu për të katërtën herë në krye të Sindikatës, derisa kundërkandidat kishte Emrush Ahmeti.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin