Lehtësohen dhe zgjerohen mundësitë e FSK-së për bashkëzbarkim me forcat aleate amerikane edhe në operacione tjera paqeruajtëse.
Sot Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e Forcave (SOFA) në mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Kuvajtit.
Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj thotë se kjo marrëveshje lejon dhe rregullon qëndrimin e përkohshëm dhe atë tranzit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në territorin e Shtetit të Kuvajtit për pjesëmarrje dhe mbështetje në misionet e forcave të SHBA-së në Republikën e Irakut.
“Kjo marrëveshje është iniciuar me rastin e fillimit të planifikimeve për pjesëmarrjen e FSK-së në bashkë-zbarkimin e parë me forcat amerikane në Kuvajt, por që nuk është arritur të finalizohet në kohë”, shkruan tutje Mehaj.
Ministri i Mbrojtjes thotë se Republika e Kosovës ka shprehur interesimin për pjesëmarrje në misione të tjera bashkë-zbarkimi me forcat e SHBA-së.
“Miratimi i këtij projekt-ligji e bën më të lehtë mundësinë e realizimit të misioneve të ardhshme të bashkë-zbarkimit me forcat amerikane në territorin e Shtetit të Kuvajtit”, ka njoftuar Mehaj.
Kuvendi i Kosovës, sot me mbështetje të deputetëve të opozitës dhe pozitës, ka votuar në parim edhe Projektligjin për policinë ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Arsyetimin e këtij projektligji e ka bërë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili tha se rregullimi i misionit dhe statusit të policisë ushtarake me ligj është një hap drejt anëtarësimit në NATO.
Ndryshe FSK, misionin e parë paqësor jashtë vendit, e kishte bërë në Kuvajt në mars të vitit të kaluar.
Kontingjenti i FSK-së që shkoi në Kuvajt, ishte pjesë e Gardës Kombëtare të Ajovas.
Kosova ka partneritet shtetëror me Ajovan, Garda Kombëtare e së cilit ndihmon FSK-në në ngritjen e saj dhe konsolidimin në ushtri.
Më 2018, përmes ndryshimeve ligjore ka nisur transformimi i mandatit të FSK-së në forca të armatosura.
Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.