Dhjetëra njerëz dyshohet se kanë humbur jetën nga flakët e anijes në bregun e Kalifornisë, në ishullin Santa Cruz.
Mediat amerikane raportojnë se të paktën 30 persona kanë humbur jetën, por që këtë shifër autoritetet nuk e kanë konfirmuar ende.
Sipas BBC, besohet se shumë prej pasagjerëve mund të kenë mbetur nën kuvertë pasi ishte anije zhytëse.
“Është anije e madhe dhe e dimë se ka numër të madh viktimash. Nuk e kemi ende numrin specifik“, citohet të ketë thënë zëdhënësi i Venturas, Bill Nash për CNN.
Pesë anëtarë ekuipazhi janë shpëtuar pasi ishin në kabinën kryesore, tha shefi i Gardës Bregdetare të SHBA, Aaron Bemis për CNN.
Ai shtoi se flakët ishin aq të mëdha sa ekipet e emergjencës nuk hipnin dot në anije për t’i shuar.
“Daily Mail” raporton se anija rreth 22 metra e gjatë mori flakë pranë Platts Harbour në ishullin Santa Cruz në mes të natës, kur pasagjerët po flinin.
Ekipet e emergjencës morën një telefonatë për zjarrin rreth orës 3:30 të mëngjesit (sipas orës lokale).
Nuk dihet ende çfarë i ka shkaktuar flakët dhe ekipet po punojnë për të gjetur të gjithë personat që ishin në anije.