image Merkel nuk është optimiste për marrëveshjen me drejtuesit e BE-së për rimëkëmbjen ekonomike - Sinjali

Merkel nuk është optimiste për marrëveshjen me drejtuesit e BE-së për rimëkëmbjen ekonomike

news image

Samiti i BE-së për rimëkëmbjen ekonomike, i cili po vazhdon të mbahet për të tretën ditë me radhë, nuk ka gjetur ende një marrëveshje përfundimtare.

Kjo pasi që disa shtete nuk u pajtuan për mënyrën e shpërndarjes së financave nga fondi 750 miliardë eurosh.

“Me gjasa nuk do të arrijmë në dakordësi as sot”, tha para takimit Kancelarja gjermane Angela Merkel. “Ekziston vullneti i mirë, por ka edhe mjaft ndasi. Do të bëj sa të mundem por kam përshtypjen se nuk do të arrijmë dot aty ku duam”.

Ngërçi qëndron në bllokun e vendeve veriore të prira nga Holanda të cilat nuk janë dakord për një grant por kërkojnë që shuma e cilësuar si Fondi i Rimëkëmbjes të jetë një borxh që i shpërndahet vendeve anëtare.

Pandemia e ka goditur rëndë eurozonën dhe ka shkaktuar dëme ekonomike që nuk ishin parë që prej kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Për këtë arsye edhe drejtuesit e 27 vendeve anëtare u mblodhën në Bruksel nën masa të rrepta sigurie për shkak të COVID-19 për të menaxhuar lëvrimin e një ndihme parësore prej 750 miliardë eurosh që do pasohet më vonë nga politika e rimëkëmbjes përgjatë viteve 2021-2027 me një vlere shtesë prej 1 trilion eurosh./ Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: