image Merkel: 2020 ishte viti më i vështirë në 15 vitet e fundit

Evropë

Merkel: 2020 ishte viti më i vështirë në 15 vitet e fundit

news image

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se viti 2020 ishte viti më i vështirë gjatë lidershipit 15 vjeçar.

Në fjalimin e fundit si kancelare me rastin e Vitit të Ri, Merkel ka thënë se viti 2021 është një vit me shpresë dhe se vaksinimi do të bëhet në atë vit.

Në një shfaqje të rrallë të emocioneve, udhëheqësja që priu Gjermaninë dhe Bashkimin Europian përmes krizës financiare të vitit 2008, dënoi lëvizjen e protestave kundër lockdownit, dhe tha se do ta merrte vaksinën kur ajo të ishte e disponueshme për të gjithë.

“Mendoj se nuk e ekzagjeroj kur them se kurrë, në 15 vitet e fundit nuk na është dukur më i vështirë viti që po linim pas, e pavarësisht të gjitha shqetësimeve dhe skepticizmit nuk kemi pritur kurrë me kaq padurim që të vijë i riu.”, shprehet Merkel.

E vlerësuar për menaxhimin e valës së parë të koronavirusit, fizikantja e kthyer në një prej politikaneve më të suksesshme në botë, është përballur me kritika për atë që perceptohet si dështim në luftimin e valës së dytë.

“Mundem vetëm të imagjinoj se si mund të ndihen ata që kanë humbur të dashurit nga koronavirusi, apo që luftuan me pasojat e një sëmundje që mohohet nga disa individë. Teoritë konspirative janë jo vetëm false e të rrezikshme por edhe cinike e mizore.”, shtoi kancelarja.

Mandati i katërt dhe i fundit i Merkel u shënua nga pakënaqësi brenda konservatorëve pas humbjeve në zgjedhjet rajonale, që shumë ja atribuuan vendimit për të mirëpritur më shumë se 1 milion azilkërkues në 2015.

/Gazeta Sinjali/