Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Në shumë raste po e pësojnë edhe mërgimtarët, të cilët investojnë shumë të majme parash, por shpesh i gjejnë shtëpitë “qyl”. Kështu e ka pësuar edhe familja Jaha në Pejë, që kanë mbetur të tronditur kur erdhën në shtëpinë e tyre pas disa vitesh.
Për pesë vite që nuk erdhën në Kosovë hajnat siç duket e patën kohën e botës që t’ia boshatisin shtëpinë dhe të mos i lënë as ku të bëjnë gjumin.
Mërgimtarëve nga Gjermani hajnat iu shkaktuan dëme mbi 45 mijë euro, duke ua vjedhur krejt çka kishin.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se pronari e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka raportuar se shtëpinë e ka gjetur të thatë, pa dhomën e pritjes, pa dhomat e fjetjes, të gjitha orenditë e tjera, kuzhinën e deri te radatorët e ngrohjes.
Sipas deklaratës së tij, të dhënë para hetuesve policorë me rastin e raportimit të rastit, kuptohet se të dyshuarit nuk kanë depërtuar brenda me forcë por kanë hyrë ose me çelës ose me ndihmën e dikujt që kishte qasje.
Të tronditur nga ajo gjendje që gjetën shtëpinë, çifti kosovar kërkoi ndihmë nga Policia, duke e denoncuar rastin, me shpresën se do të kapen hajnat, të cilët nuk dihen se në çfarë periudhe kanë kryer veprën.
Pas raportimit të rastit, njësitë policore kanë dalë ne vendin e ngjarjes ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti si “vjedhje e rëndë”.